Gjuajtja me armë - Foto: KALLXO.com

Hoti: Pamjet e Gjuajtjes me Armë si në Odën e Limajt Janë Shqetësuese

Emisioni i fundit “Drejtësia në Kosovë” transmetoi hulumtimin për viktimat e plumbave qorr.

Nga këta plumba ka pasur të vdekur e të plagosur.

Prej këtyre të fundit ka që kanë mbetur në karrocë invalidësh.

Pamjet ku shihen zyrtarë shtetërorë duke gjuajtur me armë dhe deklarata e kryeministrit Ramush Haradinaj se edhe ai gjuan me armë në ndeja të ndryshme kanë ngjallur reagime të shumta.

Mensur Hoti, një ish-pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, sot ka marrë detyrën që në emër të Republikës së Kosovës t’i luftojë armët ilegale.

Hoti thotë së politikat e dikasterit të tij nuk janë në të njëjtën linjë me ato të kryeministrit.

“Unë nuk kam leje dhe nuk mbaj armë. Besoj që çështjen e armës e kemi pasur në kohën kur është nevojitur sepse nuk mund të jesh ushtarë pa armë. Është e ligjshme të pajisesh me leje për armë për gjueti dhe shenjtëri është çështje dëshire vullneti që për mua nuk janë asnjëra”, thotë zyrtari i Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Tutje, zyrtari tha se pamjet e zyrtarëve të shtetit duke gjuajtur me armë janë shqetësuese.

“Po i kam pa pamjet dhe ato janë pamje shqetësuese. Gjuajtja në vende të tilla në radhë të parë për shkak të sigurisë së njerëzve e pastaj edhe në aspektin ligjor janë shqetësuese, kur i shtojmë këtu edhe pozitat e larta që i bartin njerëzit që i bëjnë këto veprime”, theksoi ai.

“Unë nuk mund të komentoj deklaratat e Kryeministrit unë po e shpjegoj bazën ligjore të cilën momentalisht e ka Kosova. Gjuajtjet në vende të tilla mund të cilësohen edhe si shkaktim i rrezikut të përgjithshëm mirëpo unë deri me tani nuk kam pa pamje të tilla të kryeministrit Haradinaj por përgjigja do ishte e njëjtë për këdo që bën veprime të tilla”, shtoi Hoti.

Emisionin e plotë të “Drejtësia në Kosovë”  mund ta ndiqni në linkun e mëposhtëm.