Avdullah Hoti | Foto: KALLXO.com

Hoti: Ne i Kemi 27 Vota, Nuk Duhet të Fuqizohet Raporti i Bulliqit

Shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, tha se nëse  kalon marrëveshja siç propozoi kryeparlamentari Kadri Veseli, Kosova humb territor.

“Liberalizimi është me rëndësi, ama kush e ka pengu deri më tash liberalizimin me Malin e Zi, janë ata që e kanë nënshkruar gabim. Përgjegjësinë duhet ta marrin ata që e kanë nënshkruar demarkacioni. Dhe nëse kalon kjo marrëveshje Kosova humb territor”, ka thënë Konjufca.

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti ka thënë se ky subjekt politik ka siguruar 27 vota për të kaluar projektligjin për Demarkacion, por kjo sipas tij duhet të bëhet pa raportin e kryetarit të Komisionit, Shpejtim Bulliqit.

“Ne jemi parti opozitare, po reflektojmë për interesat shtetërore. Ne i kemi siguruar 27 vota, tash është çështje e koalicionit qeverisës ti mbledhin votat e duhura. Raporti Bulliqi nuk mund të marrë fuqi ligjore në Kuvend të Republikës së Kosovës, është raport nga një grup i njerëzve që mendojnë”, tha Hoti.

Ai tha se është punuar të arrihet një konsensus mes partive politike, ndërsa përmendi se me AAK-së akoma nuk janë dakorduar.

“Koalicioni i ka saktë 61 deputetëve,  27 votat e tona janë pa përjashtim. Kemi punuar shumë për të arritur konsensus dhe besoj që kjo çështje duhet të mbarohet. Është çështje e koalicionit qeverisës për numrin e votave, ne e kemi dhënë qëndrimin tonë dhe më vjen mire që kemi gjet gjuhë të përbashkët me PDK dhe NISMA-në dhe presim të dakordohemi edhe me AAK-në”, tha Hoti.

Sipas Hoti, Projektligji për Demarkacion duhet të kalojë me votat e shqiptarëve ndërsa pati një porosi edhe më Lëvizjen Vetëvendosje që të bëjnë marrëveshje.

“Kjo marrëveshje do duhej të kalonte me votat shqiptare dhe të mos ketë nevojë për votat e Listës Serbe. Edhe Vetëvendosje duhet të ulet e të bëjë marrëveshje”, deklaroi Hoti.

Ai tha se pret një seancë të rregullt pa skena të dhunës dhe gazit lotsjellës që kanë qenë në vitet e fundit.

Sot, Kuvendi i Kosovës pritet të votoj ose jo për Projektligjin për Demarkacion mes Kosovës dhe Malit të Zi.