Avdullah Hoti | Foto: KALLXO.com

Hoti: LDK e Vendosur për Zgjedhje të Reja

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti ka thënë se pas votimit të demarkacionit, Kosova duhet të shkojë në zgjedhje të reja nacionale pasi që sipas tij kjo klasë politike është e papërgjegjshme dhe e padijshme për të marrë përsipër sfidat që po e presin Kosovën në rrugën pro-europiane.

Këto deklarata Hoti i bëri  në një konferencë për media, konferencë kjo e cila do të mbahet çdo të premte, duke vazhduar kështu praktikën e ish-presidentit Ibrahim Rugova.

“ Ne jemi të vendosur që menjëherë pas votimit të demarkacionit, Qeveria duhet të japë dorëheqje, parlamenti duhet të shpërbëhet , vendi duhet të shkojë në zgjedhje të reja dhe sovrani duhet të vendosë kush do të udhëheqë Kosovën në rrugën e integrimeve evropiane”, tha Hoti.

Ai ndër tjerash tha se Kryeministri Haradinaj ka thyer të gjitha rekordet e degradimit të institucioneve dhe shtetit të Kosovës.

“ Në 100 ditë të qeverisjes kemi parë një qeveri megalomane  21 ministra secili nga 5 zëvendësministra. Edhe ky është një rekord i kësaj qeverie. Në përbërjen e qeverisë kemi një ministër që akuzohet për torturë ndaj shqiptarëve, një tjetër që akuzohet për shkelje të kodit penal, gjuajtje me armë, një tjetër që ka konflikt interesi dhe asgjë nuk merret”, tha Hoti.

Madje ai kritikoi Kryeministrin Haradinaj edhe për vendimet e marra gjatë këtyre ditëve të qeverisjes së tij.

“Ka marrë si qeveri vendime joligjore, shkarkimin e bordeve që në fakt  janë kompetencë e Kuvendit të Kosovës , ka falur borxhe në mënyrë joligjore, për të cilat do të përballet me Gjykatën Kushtetuese,  ka ndarë mjete nga rezerva sikur të ishin  të xhepit të tij personal në kundërshtim me Ligjin për Financat Publike”, u shpreh Hoti.

Shefi i grupit parlamentar të LDK-së, tha se as temat e mëdha për të cilat sipas tij “është themeluar kjo qeveri” nuk kanë marrë zgjidhje.

“Ushtria është plotësisht e kushtëzuar prej Listës Serbe.  Demarkacioni po shihet që ka qenë një kauzë  e rrejshme, qytetarët kanë mbetur të izoluar për tri vite me radhë. Dialogu me Serbinë është duke u zhvilluar pa asnjë platformë. Vizat dhe premtimi që do të arrihen të liberalizohen brenda 3 muajve nuk shihet askund në perspektivë” , deklaroi Hoti.

Ai nuk la pa e përmendur edhe iniciativën e fundit për shfuqizimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara për çka e quajti “ tendencë” dhe “veprim skandaloz” të kësaj qeverie.

Krejt në fund Hoti tha se koalicioni aktual qeverisës është koalicion i “shpartalluar”.

“ Koalicioni është plotësisht i shpartalluar, asnjë seancë nuk mund të zhvillohet normalisht nëse LDK nuk merr përsipër funksionimin normal të këtij Kuvendi.  Seanca po mbahen në mungesë të kuorumit për shkak se  koalicioni është i shpartalluar”, tha ai.