Avdullah Hoti gjatë fushatës | Foto: Facebook

Hoti: LAA Nuk e Voton Veselin për Kryetar të Kuvendit

Kryesuesi i seancës konstituive, Adem Mikullovci, deputet i Vetëvendosjes, e ka thirrur seancën për këtë të enjte.

Në rend të ditës do të jetë vetëm një: zgjedhja e kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit.

Në koalicionin PAN janë të bindur se të enjten do të zgjidhet kryetari i Kuvendit por nuk e përjashtojnë mundësinë që në të njëjtën ditë të votohet edhe për formimin e qeverisë së re.

Por, në koalicionin LAA dhe Vetëvendosje thonë se nuk do ta votojnë Kadri Veselin për kryetar të Kuvendit dhe as formimin e Qeverisë ku bën pjesë edhe PDK-ja.

Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, tha për RTV 21 se pozicioni i tyre si koalicion është i qartë: ne nuk e votojmë kryetarin e PDK-së për kryetar të Kuvendit të Kosovës.

“Çdo kandidat tjetër që del nga PAN për kryetar të Kuvendit do ta shqyrtojmë, sepse nuk e dimë se cili është ai. Ne jemi të interesuar që të konstituohet sa më parë Kuvendi”, tha ai.

Ndërsa, nënkryetari i PDK-së, Rexhep Hoti, është i bindur se Kadri Veseli do të zgjidhet të enjten kryetar i Kuvendit. “Janë numrat dhe ai do të zgjidhet”, tha Hoti. /21Media