Avdullah Hoti | Foto: KALLXO.com

Hoti: Koalicioni Qeverisës nuk është Funksional

Avdullah Hoti, shefi i grupit parlamentar të LDK-së pas dështimit të mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit për mungesë kuorumi, e konsideroi jofunksional koalicionin qeverisës.

Hoti tha se shtyrja është fatkeqësi për vendin pasi po presin për t’u zhvilluar seanca mjaft të rëndësishme.

Hoti tregoi se shfuqizimi i ligjit me të cilin u themelua specialja ishte në pikën të ndryshme.

Ai tregoi edhe njëherë qëndrimin e LDK-së për çështjen e shfuqizimit të speciales.

“Qëndrimi ynë është i qartë, kur të vijë në rend dite ne do ta lëshojmë mbledhjen”, tha Hoti.

Hoti u pyet edhe për vrasjen e djeshme të Oliver Ivanoviqit.

“Presim shpejt që të zbardhet kjo vrasje, të dihen dorasit, ftoj që organet e drejtësisë të jenë shumë efikase që të shmangen të gjitha konspiracionet”, tha Hoti.

Në mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit përveç Hotit ishin të pranishëm edhe Kadri Veseli, Xhavit Haliti e Kujtim Shala.

Edhe më 22 dhjetor 2017 Kryesia e Kuvendit kishte dështuar të mblidhet dy herë për mungesë kuorumi, prandaj nisma për shfuqizimin e speciales nuk i shkoi Kuvendit.