Avdullah Hoti - Foto: KALLXO.com

Hoti: Është e Qartë Kush po e Bllokon Konstituimin e Kuvendit

Pasi që në sallën e Kuvendit ishin të pranishëm 61 deputetë, udhëheqësi i grupit të deputetëve të koalicionit LDK-AKR-Alternativa, Avdullah Hoti kërkoi nga kryesuesi ta vazhdojë seancën në mënyrë të rregullt.

“Jemi 61 deputetë, ka kuorum, ta vazhdojmë seancën në mënyrë të rregullt. Kjo e bën të qartë kush po e bllokon konstituimin e Kuvendit”, tha deputeti Hoti, duke aluduar në koalicionin PAN, i cili siç kishte paralajmëruar e bojkotoi këtë seancë.

“Ne jemi të gatshëm të marrim pjesë sa herë që kryesuesi bën thirrje. Ftoj deputetët e koalicionit të PDK-së të jenë të arsyeshëm dhe prezentë në sallë dhe të lëvizim përpara në themelimin e institucioneve”, tha Hoti.

Ndonëse ishte krijuar kuorumi, drejtuesi i seancës, Adem Mikullovci, e ndërpreu atë për shkak të mungesës së deputetëve të koalicionit PAN, të cilët e kanë të drejtën e ofrimit të kandidatit për kryeparlamentar.