Avdullah Hoti - Foto: KALLXO.com

Hoti: 5 Ministra me Aktakuza e Akuza të Rënda në Qeverinë Haradinaj

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti tha se në qeverinë Haradinaj janë pesë ministra me aktakuza të ngritura e me akuza të rënda, të cilët sipas tij nuk mund të jenë të pavarur në kryerjen e detyrës zyrtare, e as në gjykim të paanshëm derisa mbajnë këto pozita.

“Në këtë qeveri janë tre ministra që kanë aktakuzë të ngritur dhe një ministër që ka shkelur kodin penal duke shkelur sigurinë publike (Dardan Gashi), edhe një ministër tjetër me akuza edhe me të rënda për keqtrajtimin e shqiptarëve. Por, që kryeministri Haradinaj u detyrua ta mbajë (Nenad Rikallo). Nuk mund të pajtohemi që këta personave me aktakuzë të vazhdojnë të kryejnë detyra zyrtare ngase është e qartë që nuk mund të jenë të pavarur në kohën që hetohen”, tha Hoti.

Ai tha se respekton pafajësinë e atyre që u ngritën aktakuza deri në momentin që shpallen të fajshëm, por shtoi se këto elemente do të jenë pjesë edhe e raportit të Komisionit Evropian.

“Edhe këto aktakuza ndaj ministrave  do jenë pjesë e raportit të komisionit evropian, përfshirë edhe përpjekjen e partive të koalicionit për shfuqizimin e speciales, nismën e deputetëve për amnisti për përdorimin e gazit lotsjellës”, tha Hoti.

Aktualisht deputetët po deklarohen jashtë rendit të ditës.

Në sallë janë 61 deputetë.