Hoteli ‘Bonita’ i Zënë-Anulohet Ekskursioni

Gjimnazi “Jeta e Re” në Suharekë anuloi ekskursionin e maturantëve me arsyetimin se asnjëra nga kompanitë nuk plotësoi kushtet.

Për të dërguar maturantët e këtij gjimnazi në Shqipëri kishin konkurruar kompanitë “Sharr Travel”, “Dardani” dhe “Shpejtimi”, e para me ofertën 80 euro për nxënës, e dyta me 85 dhe e treta me 89 euro.

Gjimnazi “Jeta e Re” në ofertën për ekskursionin kishte përcaktuar kohën e mundshme të zhvillimit të tij nga 24 shtatori deri më 8 tetor.

Sipas komisionit të gjimnazit, ekskursioni është anuluar pasi vetëm njëra nga tri kompanitë konkurruese kishte plotësuar kushtet, por hoteli me të cilin ajo ofertoi nuk ishte i lirë në kohën e paraparë për ekskursionin.

Kompania “Shpejtimi” kishte ofruar vendosje në Hotelin “Bonita”, por ky hotel ishte i zënë në periudhën kur maturantët e “Jetës së Re” donin ta vizitonin Shqipërinë.

Hajdin Jashari, pronari i agjencisë turistike “Dardani” që doli e dyta më e lira pas “Sharr Travelit” në ofertën për maturantë te gjimnazit, akuzon këtë shkollë se me çdo kusht po synon realizimin ekskursionit në “Bonita”, pavarësisht se oferta aty ishte më e shtrenjta.

“Nuk e dimë pse që ekskursioni ose do të realizohet në hotel ‘Bonita’ ose nuk do të realizohet fare. Në ofertë kërkohet që të ofrojmë konfirmim në hotelet e Republikës së Shqipërisë afër Durrësit, apo në Durrës,” tha Jashari.

Edhe Ruzhdi Kurtishaj, pronari i kompanisë “Sharr Travel” që ishte ofertuesi më i lirë për ekskursionin dyshon se gjimnazi po favorizon kompaninë që konkurroi me “Bonitën”.

“Pretendimet e shkollës dhe njerëzve të apostrofuar janë që të shkohet me kompaninë e preferuar të tyre,” tha Kurtishaj për KALLXO.com.

Kryetari i Këshillit Drejtues të Gjimnazit “Jeta e Re” dhe përfaqësuesi i prindërve Shefket Kolgeci nuk e mohoi se “Bonita” u pëlqeu porositësve të ekskursionit.

“Hotel “Bonita” ishte hoteli i vetëm që i plotësonte kushtet, pasi ishte i rrethuar i tëri, kishte siguri që është primare për prindërit,” tha Kolgeci për KALLXO.com.

Por ai mohoi favorizimin e njërës prej kompanive konkurruese për ekskursionin.

“Ne si komision kemi vizituar tri hotelet e ofertuara nga kompaninë dhe pas vizitës, kemi vlerësuar se vetëm hoteli ‘Bonita’ i plotëson kushtet për nevojat e ekskursionit, ndërsa dy hotelet tjera të ofertuara nga kompanitë ‘Sharr Travel’ dhe ‘Dardani’ nuk i plotësonin as kushtet,” tha Shefqet Kolgeci.

Zëvendësdrejtori i Gjimnazit “Jeta e Re” Fadil Zenelaj, njësoj si Kolgeci, mohoi se kjo shkollë favorizoi njërën nga kompanitë konkurruese.

“Ne nuk kemi favorizuar asnjë kompani, por për neve e rëndësishme është siguria e nxënësve, pasi paret janë të tyre e jo të taksapaguesve dhe pasi komisioni ka vlerësuar që në hotelet që kanë ofertuar me kohë nuk paraqesin siguri për nxënësit e shkollës tonë, ne kemi anuluar këtë ofertë,” tha Zenelaj.

KALLXO.com tentoi të marrë edhe mendimin e agjencisë “Shpejtimi” për këtë anulim ekskursioni, por kontakti me të ishte i pamundshëm.

KALLXO.com shkroi edhe më herët për ankesa rreth ekskursioneve.

http://kallxo.com/ekskursioni-shtrenjte-maturanteve-te-pejes/

http://kallxo.com/kurdisja-e-ekskursioneve-ne-suhareke/

http://kallxo.com/tenderi-i-ekskursioneve-i-fituar-nga-njerezit-nen-dardhen-e-pushtetit/