Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi dhe ambasadorja holandeze, Gerrie Willems - Foto: Zyra e Kryeprokurorit

Holanda Premton Ndihmë për Sistemin Prokurorial të Kosovës

Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi ka pritur sot në takim pune ambasadoren e Holandës në Prishtinë, Gerrie Willems.

Gjatë këtij takimi, mysafirja është njoftuar për punën dhe sfidat e sistemit prokurorial si dhe për përkushtimin, sipas Lumezit, të prokurorëve për luftimin e krimit të organizuar, veprave të tjera penale, e në veçanti atë të korrupsionit.

Sipas një njoftimi të Zyrës për Komunikim Publik të Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, ambasadorja Willems ka shprehur gatishmërinë e saj dhe vendit të saj për ta ndihmuar sistemin prokurorial të Kosovës me qëllim të rritjes së efikasitetit të këtij sistemi.

“Konkretisht ambasadorja e Holandës Gerrie Willems ofroi ndihmë nga Ambasada Holandeze në Prishtinë në ngritjen e kapaciteteve të prokurorëve, duke i trajnuar ata në fushën e hetimeve financiare dhe pastrimit të parave”, thuhet në komunikatë.

Redaktoi: Naser Sertolli