Njëri nga të dyshuarit për vrasjen e Aulon Zekës - Foto: KALLXO.com

Historiku i Gjykimit për Vrasjen e Aulon Zekës

Gati 7 muaj pasi 16 vjeçari, Aulon Zeka, ishte gjetur i vdekur në afërsi të shkollës “Model”, në Prishtinës, tre të mitur të tjerë që u gjykuan për këtë vrasje u njohën me dënimet e tyre.

Jo më shumë se 24 orë pas kësaj ngjarjeje tragjike, Policia e Kosovës njoftoi se ka arrestuar dy persona të mitur, njëri i gjinisë mashkullore ndërsa tjetri i gjinisë femërore.

Një ditë më pas, Gjykata Themelore e Prishtinës ndaj dy të miturve kishte caktuar masën e paraburgimit ndërsa këtë masë e kishte vërtetuar edhe Gjykata e Apelit.

Përkundër arrestimit të dy të miturve u desh që të kalonin gati dy muaj deri sa Policia e Kosovës arriti të gjejë armën me të cilën dyshohej se u vra Aulon Zeka.

Seanca fillestare ishte mbajtur në muajin dhjetor dhe të miturit ishin deklaruar se janë të pafajshëm.

Përpos dy të miturve të parë, Prokuroria kishte përfshirë në propozim edhe të miturin e tretë, i cili ngarkohej për moslajmërim të veprës penale.

Edhe pse fillimisht Prokuroria i ngarkonte dy të miturit e parë për veprën penale të vrasjes në bashkëkryerje, në muajin shkurt, prokuroria u tërhoq nga ky pretendim ndaj të miturës së dytë lidhur me veprën e vrasjes, ndërsa e rikualifikoi pretendimin në ndihmë kryesit të veprës pas veprës penale.

Gjatë gjithë seancave të mbajtura në Gjykatën Themelore të Prishtinës, shoqëria e Aulonit organizoi protesta ku kërkonte drejtësi për vrasjen e shokut të tyre.

Për zbulimin  e këtyre pretendimeve, avokati i familjes së Aulon Zekës në seancën e 9 marsit kishte kërkuar ekzaminimin ndërkombëtar të telefonit të Aulon Zekës sepse pretendonte se ekzaminimi nuk ishte bërë në mënyrën e duhur.

16 prilli shënoi fundin e këtij gjykimi.

Gjykata Themelore e Prishtinës gjeti fajtor të miturin e parë dhe i shqiptoi 9 vjet e 6 muaj dënim me burg për të mitur.

Të miturës i shqiptoi masën edukativo-korrektuese prej 3 vitesh ndërsa të miturit të tretë i shqiptoi mbikëqyrje nga organi i kujdestarisë në kohëzgjatje prej 1 viti e gjysmë.

Të pakënaqurit ndaj këtij vendimi mund t’i drejtohen me ankesë Gjykatës së Apelit ndërsa avokati Skender Musa tha se nuk është i kënaqur me vendimin e Gjykatës ndaj të miturës së dytë.

KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi lidhur me ecurinë e këtij gjykimi ndërsa raportimet mund t’i gjeni në këtë link.

16 Prill 2018 - 15:17

Labinot Leposhtica 16/04/2018 - 15:17
NDËRVEPRIMI0

KRYESORE

Prishtina Insight
NA NDIQNI

Send this to a friend