Historia e një Kallëzimi që nuk Pranohet nga Prokuroria

Bujar Lepaja kishte ardhur në Prokurorinë Themelore të Prishtinës për të gjashtën herë për ta dorëzuar një kallëzim penal kundër torturës që përjetoi nga pushteti ish-jugosllav në vitin 1982, por u kthye mbrapsht si edhe herëve tjera pa kryer punë.

“Quhem Bujar Lepaja, jam ish i dënuar politik në vitin 1982. Kam ardhë për me tentu për herë të gjashtë me dorëzu një kallëzim penal, kallëzimi penal ka të bëjë me torturat, me shkeljen e të drejtave të njeriut, me shkeljen e të drejtave të fëmijëve, pasi që në atë kohë kam qenë i mitur në moshën 16 vjeçare kur kam qenë i arrestuar herën e parë,” shpjegon hallin e tij Lepaja.

Ai  tregon se sa herë ka ardhur për ta dorëzuar këtë kallëzim, ka marrë përgjigjen e njëjtë nga zyrtarë të prokurorisë.

“Unë për veti  personalisht nuk kam mundur me kuptue asnjëherë në ato tentativa për me dorëzue kallëzimin, sepse gjithmonë më është thanë që lënda është e parashkruar edhe nuk mund të dorëzohet si e tillë,” thotë Lepaja.

Gazetarët e KALLXO.com-it tentuan të marrin edhe përgjigjen e Imer Bekës, kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore të Prishtinës për rastin e Bujar Lepajës, por kryeprokurori nuk deshi të flasë për këtë çështje.

Ai bën me dije se nuk është jurist, por nga nevoja ka mësuar se mund të dorëzojë kallëzim dhe të presë përgjigje.

“Unë nuk jam jurist, mirëpo kam hulumtu në literaturë pak, e kam pa që kam të drejtë si qytetar i këtij vendi me dorëzu një kallëzim penal dhe gjithashtu është e drejtë e imja që të pres një përgjigjje me shkrim nga prokuroria pa marrë parasysh se cili do të jetë vendimi i prokurorisë,”  deklaron Lepaja.

Profesori i së drejtës penale, Ismet Salihu kryerjen e torturës për të cilën Bujar Lepaja dëshiron të dorëzojë kallëzim penal e konsideron vepër të rëndë penale kundër të drejtave të njeriut.

“Në kodin Penal të Republikës së Kosovës është paraparë tortura si vepër penale kundër lirive dhe të drejtave të njeriut në nenin 199 dhe këtë vepër penale e kryen personi zyrtar I cili përdor dhunën fizike dhe psikike, shkakton dhembje, mundime ndaj personit për të cilin dyshon se ka kryer vepër penale, me qëllim që të marr informata të dhëna në mënyrë të kundërligjshme,” shpjegon Salihu.

Ai tregon edhe dënimet e përcaktuara për këtë vepër.

”Në kodin tonë penal po ju tregoj se për formën e parë është paraparë dënimi deri në 15 vjet e për format nëse tortura kryhet ndaj fëmijës është paraparë dënim edhe më i rëndë,” thotë Salihu.

Neni 106 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës përcakton kohën e vjetrimit të veprave penale që nga momenti i kryerjes nëse për to nuk fillon ndjekja nga prokuroria.

Krimet për të cilat sipas kodit kryesi i tyre mund të dënohet me burgim të përjetshëm, vjetrohen për 30 vjet, ndërsa te veprat penale për të cilat dënimi është më shumë se dhjetë vjet, vjetërsimi bëhet për 20 vjet.

Ismet Salihu thotë se vepra për të cilën Bujar Lepaja dëshiron të ngrejë kallëzim penal është vjetruar njëzet vjet pas kryerjes së saj, domethënë në vitin 2002, sepse sipas tij vjetërsimi i lëndës së torturës është i njëjtë, edhe nëse ajo kryhet ndaj të miturve.

“Sipas Kodit Penal që ka qenë në fuqi në kohën e kryerjes së veprës penale në vitet 80 -90, për veprën penale të torturës parashkrimi bëhet pas kalimit të kohës prej 20 vjetësh. Nëse ky ka qenë i mitur dënimi është edhe më i rëndë, mirëpo parashkrimi këtu është i njëjtë,” qartëson Salihu.

Profesori Salihu pavarësisht se argumenton që kjo lëndë tashmë mund të jetë vjetruar, thotë se prokuroria duhet ta pranojë e ta shqyrtojë atë dhe pastaj t’i kthejë përgjigje ankuesit.

“Nëse prokuroria konstaton se është parashkruar [vjetërsuar] lënda, duhet t’i lëshojë një vendim, një shkresë, ose këtë kallëzim penal t’ia procedojë gjykatës. Gjykata duhet ta konstatojë se është parashkruar ndjekja penale me një shkresë,  një vendim të prokurorisë ose gjykatës me të cilin konstatohet se ndjekja penale në këtë rast nuk mund të bëhet për shkak të kalimit të afatit të paraparë me ligj,”sqaron Salihu.

Bujar Lepaja çuditet se si as për herën e gjashtë nuk ia pranuan në prokurori kallëzimin që erdhi ta dorëzojë, duke i thënë që dërgesën e tij për prokurorinë ta çojë nëpërmjet postës.

“Fatkeqësisht edhe kësaj here nuk munda me dorëzu. Përgjigjja prej administratës këtu ishte që prokurori ju ka thënë që të më transmetojnë mua se këtë kallëzim penal duhet ta dorëzoj përmes postës në mënyrë që ndoshta do ta ketë mundësinë më tutje të procedohet, sepse në këtë mënyrë nuk mundet të dorëzohet, gjithnjë sipas kryeprokurorit këtu në Prokurorinë Themelore,” thotë Lepaja

Megjithatë, si sugjerimet e profesorit Salihu, edhe ai pret se do të marrë një sqarim me shkrim për kallëzimin që dëshiron ta ngrejë.

“Unë shpresoj që do të jetë ajo përgjigje me shkrim sa do të marrë kohë në fund të fundit nuk do të ketë aq rëndësi mirëpo mënyra e trajtimit të lëndëve sidomos të kësaj lënde, jo vetëm pse është e imja dhe ka të bëjë me mua është joprofesionale,” shpreh mllefin ai.

Sipas Lepajës ndryshe do të trajtohej kallëzimi penal i tij, sikur Kosova të ishte shtet demokratik.