Hidhet Poshtë Aktakuza në Gjyqin për Nxitje të Urrejtjes

Cenaj akuzohej për nxitje të urrejtjes, përçarjes apo mosdurimit kombëtar, racor, fetar apo etnik.

Gjyqtari i rastit, Sulltan Dobraj, tha së Gjykata me aktvendim ka pranuar kërkesën e mbrojtjes për hedhjen e aktakuzës.

“Pranohet kërkesa për hudhje të aktakuzës e ushtruar nga mbrojtësi i të pandehurit. Hudhet aktakuza”, tha gjyqtari Sulltan Dobraj.

Sipas gjyqtarit hedhja e aktakuzës është bërë sepse në veprimet e të pandehurit nuk ka veprime të mjaftueshme të kryerjes së veprës penale.

Ndërsa, prokurori i rastit, Muharrem Bajraktari, kërkoi nga Gjykata ta hidhte poshtë propozimin e mbrojtjes.

“Kërkojmë që kërkesa e tillë të refuzohet sepse është e pabazuar dhe me përmbajtje nga këndvështrimi i mbrojtjes”, tha prokurori.

Mirëpo, gjyqtari njoftoi se me aktvendim hidhet poshtë aktakuza e Prokurorisë, e cila ka të drejtë ankese brenda 5 ditësh.

Dhe pas seancës, prokurori Muharrem Bajraktari tha për KALLXO.com se do të bëjë ankesë.

Ndërsa, i akuzuari Asim Cenaj tha se nga fillimi i është bërë e padrejtë.

“Mendoj që me të drejtë është hedhur aktakuza. Më është bërë një padrejtësi që nga fillimi, por nuk do të thotë kjo që mua kjo do të me kishte ndalu, edhe sikur sot të isha dënu, që të kërkoj fatin e të zhdukurve të Kosovës. Do të kërkoj prapë, jam në ato fjalë qysh i kam thanë në fillim edhe do të jem gjithmonë”, tha Cenaj për KALLXO.com.

Kurse, avokati Kujtim Kërveshi tha për KALLXO.com se aktakuza ishte ngritur pa bazë.

“Mendoj që ka qenë një ditë në të cilën e shënoj një ditë suksesi të drejtësisë. Nga fillimi kemi konsideruar se nuk përbën vepër penale ky pretendim i Prokurorisë. Ka qenë një dhe është akoma një aktakuzë krejtësisht e përgjithësuar, e pabazuar në prova konkluzive. Mendoj që Gjykata ka vendosur drejt dhe të shohim në vijim vazhdimin e këtij procesi në qoftë se do vazhdojë tutje”, tha Kërveshi për KALLXO.com pas seancës.

KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi rreth këtij procesi.

http://kallxo.com/akuzuar-per-nxitje-te-urrejtjes-asim-cenaj-deklarohet-pafajshem/