Gjykimi i Limajt dhe të tjerëve | Foto: KALLXO.com

Hetuesja e Krimit të Organizuar në Gjykimin e Limajt

Një rreshtere detektive po dëshmon në gjykimin e Limajt dhe të tjerëve të akuzuar për krim të organizuar në procesin gjyqësor të njohur si MTPT.

Marina Tojvenen, oficere policore me 32 vjet përvojë profesionale nga Finlanda, ka udhëtuar në Kosovë për të dëshmuar në gjykimin e zëvendëskryeministrit të Kosovës.

E ftuara e prokurorisë, fillimisht po merret në pyetje nga prokurori Charles Hardaway.

“Fusha ime kryesore është hetimi në financa, çdo gjë që ka të bëjë me para në një mënyrë apo tjetrën”, tha dëshmitarja Tojvenen.

E pyetur nga prokurori Hardaway se a ka punuar ndonjëherë në EULEX, dëshmitarja u përgjigj se ka hyrë në misionin e BE-së për Sundim të Ligjit në nëntor të vitit 2010 dhe ka lënë misionin në shkurt të vitit 2014.

“Kam qenë e caktuar në njësinë e krimit të organizuar si hetuese. Detyrat e mia kanë qenë të caktuara kryesisht me këtë rast (MTPT), nuk ka pasur ndonjë rast tjetër kryesor, por, natyrisht kam marrë pjesë në operacione të ndryshme të cilat janë kryer nga njësia jonë, apo njësitë tjera”, tha dëshmitarja.

Marina Tojvenen më pas tregoi se pas një kohe u bë hetuesja kryesore në rastin e Limajt dhe të tjerëve.

“Fillimisht nuk kam qenë hetuese kryesore në këtë rast, ka qenë një kolege e imja nga Sllovenia. Por, erdhi një moment kur kolegia ime u kthye dhe jam bërë hetuese udhëheqëse e rastit. Tanimë vetëm se kisha më shumë njohuri për rastin”, tha Tojvenen.

Prokurori Hardaway e pyeti dëshmitaren se a i kujtohej operacioni i EULEX-it në objektin e ish-Ministrisë së Transportit dhe Postë-Telekomit.

“Nëse është fjala për ndërtesën afër sheshit ‘Nëna Terezë’, atëherë po”, u përgjigj dëshmitarja.

Në këtë proces gjyqësor Fatmir Limaj akuzohet për shpërdorim detyre dhe krim të organizuar lidhur me tenderët për mirëmbajtjen e rrugëve në Komunën e Gjilanit. Për të njëjtat vepra ngarkohen edhe Nexhat Krasniqi e Endrit Shala. Pjesë e gjykimit janë edhe Shpëtim Telaku e Florim Zuka.

Limaj këtë aktakuzë që nga EULEX-i quhet e konsoliduar pasi në të janë bashkuar rastet MTPT 1 dhe MTPT 2 më 30 tetor të vitit të kaluar e cilësoi të ngritur me urdhër politik.