Hetohen policët: dyshohen se rrahën publikisht qytetarin

KALLXO.com disa ditë më parë publikoi një video, ku shiheshin tre pjesëtarë të policisë teksa shqelmonin një qytetar i cili ishte i prangosur nga vetë ata.

Ngjarja kishte ndodhur më 25 prill të vitit të kaluar.

KALLXO.com ka kërkuar nga ana e Inspektoratit Policor të Kosovës, përgjigje në lidhje me masat që janë marrë për dy policët të cilët janë të përfshirë në rrahjen e qytetarit të Ferizajt vitin e kaluar.

Në një përgjigje për KALLXO.com, IPK pati thënë se Departamenti i Hetimeve i Inspektoratit bazuar në autorizimet ligjore dhe fushëveprimin e vet ka trajtuar rastin e video-incizimit të publikuara më 30 prill të këtij viti nga KALLXO.com.

“Hetuesit e IPK-së lidhur me këtë rast kanë ndërmarrë disa veprime hetimore dhe i njëjti është përcjellë në prokurorinë kompetente”, thuhet në përgjigjen e Inspektoratit.

Dy prej zyrtarëve të implikuar në këtë rast tashmë janë suspenduar nga Policia e Kosovës por për një rast tjetër në të cilin ata janë si të dyshuar.

KALLXO.com ka kërkuar sqarime nga IPK në lidhje me ankesat e tjera të qytetarëve për dy policët e suspenduar.

Sipas Inspektoratit Policor të Kosovës, ankesa e qytetarit i cili shihet duke u shqelmuar nga pjesëtarët e policisë, është proceduar në Prokurorinë Themelore në Ferizaj së bashku me të gjitha shkresat dhe provat e grumbulluara dhe së bashku me videon e postuar nga KALLXO.com

Për dy raste të tjera për të cilat KALLXO.com i ka shkruar IPK-së ende nuk kanë përfunduar procedurat hetimore.

“Sa i përket ankesës së qytetarit të pranuar  më datë 12 Mars të këtij viti, ky rast është akoma në procedurë hetimore . Rasti i ankesës së një qytetari tjetër e cila është pranuar më datë 19 Prill 2018 është në trajtim e sipër nga hetuesit e IPK-së në konsultim me prokurorin kompetent”, thuhet në përgjigjen e IPK drejtuar KALLXO.com.

Inspektorati Policor, ka thënë tutje se sa i përket çështjes së vazhdimit të suspendimit, e gjitha është e rregulluar me lidh dhe varësisht prej rrethanave të rastit, IPK i vlerëson arsyet e vazhdimit apo ndërprerjes së suspendimit.

VIDEO- Qytetari ankohet për rrahje nga policët në shesh të Ferizajt

Suspendohen policët që shqelmonin qytetarin e prangosur

 

08 Maj 2018 - 21:22

Adelina Ahmeti 08/05/2018 - 21:22
NDËRVEPRIMI0
Prishtina Insight
NA NDIQNI

Send this to a friend