Naim Ismajli | Foto: KALLXO.com

Hetime për Pallatin e Naim Ismajlit dhe Shokëve të Tij

Të gjeturat e raportuara nga “Drejtësia në Kosovë” për ndërtimin e pallatit shumëkatësh ku ka hise edhe kryetari i Shtimes Naim Ismajli, kanë shërbyer si bazë për nisjen e hetimeve nga ana e Prokurorisë Themelore të Ferizajt.

Prokurori Shukri Jashari ka konfirmuar për “Drejtësia në Kosovë” se pas transmetimit të emisionit në shtator të 2016-ës, për dyshimet se u përdor ndikimi për ndalimin e shitjes së një prone private, e cila më vonë kaloi në pronësi të vetë kryetarit Naim Ismajli dhe shokëve të tij, ka autorizuar policinë për mbledhjen e provave në terren.

“Më 15 shtator 2016 e kam autorizuar Drejtorinë e Hetimeve të Krimeve Ekonomike për grumbullim të informatave. Gjatë muajit tetor jam njoftuar nga hetuesit e krimeve ekonomike që kanë marrë dosjen në drejtorinë e Urbanizmit në Shtime edhe kanë filluar hetuesit me intervistimin e personave,” tha prokurori Jashari për Emisionin “Drejtësia në Kosovë” që transmetohet të premten.

Hulumtimi i “Drejtësia në Kosovë” zbuloi se Komuna e Shtimes për disa kishte bllokuar shitjen e pronave të qytetarëve serbë me arsyetimin se ato duhet të shpronësohen dhe të shpallen zona me interes të përgjithshëm, sipas një vendimi të kuvendit komunal.

Në këto prona nga hulumtimi i shtatorit doli se ishte planifikuar ndërtimi i një parku për qytetarët, por më vonë vendimi ishte shfuqizuar, ngase ishte konstatuar se vendi nuk ishte i përshtatshëm për park apo ndërtime publike.

Pas shfuqizimit të vendimit që këtyre pronave ua jepnin karakter të interesit të veçantë, pronarët e tyre ishin lejuar t’i shesin.

Fillimisht pronën nga familja Stakiq e kishte blerë Shkëlzen Qerimi, i njohur në publik si humorist.

Vetëm disa ditë më pas, Qerimi pronën ua shiti kryetarit të Shtimes Naim Ismajli, Hasan Salihut, vëllait të drejtorit të kadastrës në këtë komunë dhe asamblistit të PDK-së, Jakup Ismajli, edhe pse kishte plane për të bërë një ndërtesë komerciale shumëkatëshe.

Pasi ua shiti pronën, ai dy zyrtarëve komunalë dhe vëllait të një zyrtari tjetër, ua mori të njëjtën pronë me koncesion, duke nisur objektin që donte ta ndërtonte.

Kryetari Naim Ismajli, asamblisti Jakup Ismajli dhe Hasan Salihu pronën e kishin blerë 60 mijë euro.

Në bazë të marrëveshjes me Shkëlzen Qerimin, kryetarit të Shtimes dhe dy shokëve të tij u takon 23 për qind e objektit tetëkatësh, ose së paku dy kate të tij.

Përveç vendimeve kundërthënëse të Kuvendit Komunal të Shtimes, hulumtimi i Emisionit “Drejtësia në Kosovë” tregoi edhe se rruga me anë të secilës Naim Ismajli, Hasan Salihu e Jakup Ismajli u bënë pronarë të një pjese të objektit, kaloi nëpër një marrëveshjeje biznesore joekonomike.