Delegacioni i Kosovës në bisedimet për Marrëveshjen e Drejtësisë - Foto: ZKM

Heshtja e të Gjithëve për Vonesën e ‘Hapjes’ së Gjykatës në Veri

10 janari 2017 ishte paralajmëruar nga ministrja për Dialog, Edita Tahiri si datë për finalizimin e Marrëveshjes për Drejtësi të arritur në Bruksel.

Ndërkohë që ka kaluar më shumë se një javë nga kjo datë, për moszbatimin e Marrëveshjes nuk pranojnë të deklarohen as nënshkruesit e saj nga pala kosovare, as Bashkimi Evropian si ndërmjetësues.

Pas dy ditë bisedimesh mes Kosovës dhe Serbisë, në fund të nëntorit të vitit 2016 ishte arritur marrëveshja për finalizimin e zbatimit të Marrëveshjes për Drejtësi.

Referuar komunikatës së Zyrës së Kryeministrit pas dakordimit për zbatueshmëri, ministrja për Dialog, Edita Tahiri, kishte thënë se finalizimi i zbatimit të kësaj marrëveshje ka rëndësi të madhe për Kosovën sepse e njëjta mundëson shtrirjen e sovranitetit shtetëror në veri të vendit në fushën e drejtësisë.

“Kjo Marrëveshje është e rëndësishme për shtetin dhe qytetarët e saj sepse institucionet shtetërore të drejtësisë me 10 janar 2017 do të fillojnë funksionimin tashmë në tërë territorin e shtetit tonë si dhe më në fund qytetarët do të mund të kërkojnë drejtësi nga institucionet shtetërore të Kosovës”, citohej ministrja Tahiri.

http://kallxo.com/dakordim-per-zbatimin-e-marreveshjes-se-drejtesise/

Madje kryenegociatorja meritat për këtë ia kishte lënë dialogut të Brukselit.

“Zbatimi i Marrëveshjes së Brukselit për Drejtësi mundëson krijimin e sistemit unik të drejtësisë së Kosovës në pjesën veriore të Kosovës, që po ndodh pas shumë vitesh dhe këtë e mundësoi dialogu i Brukselit, përkatësisht Marrëveshja e Brukselit për Drejtësi”.

KALLXO.com i ka dërguar pyetje ministres Edita Tahiri rreth moszbatimit të Marrëveshjes, por ajo nuk ka pranuar të deklarohet rreth çështjes. Arsyetimi i këshilltarëve të saj është “për shkak të tensioneve të krijuara”.

“Përderisa janë këto tensione, ministrja nuk do të prononcohet rreth temave te dialogut. Në këtë situatë të provokimeve dhe tensioneve te krijuara nga Serbia, nuk është koha për të biseduar për dialogun. Kur të krijohen rrethana më të mira do t’ju përgjigjet”, ka thënë këshilltarja e saj, Ramize Sejdiu.

Me këtë Marrëveshje, e cila parasheh shuarjen e strukturave paralele në sistemin gjyqësor që kanë vepruar në veri të vendit në mënyrë ilegale, Serbia ishte obliguar që deri më 9 dhjetor 2016 të njoftojë BE-në me shkrim për shfuqizimin e kontratave të punës dhe ndaljen e pagesave për gjyqtarë e prokurorë serbë, të cilët parashihen të integrohen në sistemin gjyqësor të Kosovës.

“Serbia obligohet që ta njoftojë me shkrim BE-në, më së voni deri më 9 dhjetor 2016, se ka realizuar këto obligime zbatuese. Integrimi i tyre në sistemin e Kosovës do të bëhet me 10 janar 2017”, thuhej po ashtu në komunikatën e Zyrës së Kryeministrit të Kosovës.

KALLXO.com ka pritur qe dy ditë një përgjigje nga Maja Kocijançiq, zëdhënëse e Përfaqësueses së Lartë të Bashkimit Evropian, rreth funksionalizimit të gjykatave në veri, por ajo nuk është përgjigjur ende.

http://kallxo.com/ne-bruksel-bisedohet-per-zbatimin-e-marreveshjes-se-drejtesise/

E Nehat Idrizi, kryesues i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, tha për KALLXO.com se kjo marrëveshje për shkak të ndërrimit të rrethanave nuk fillon.

“Marrëveshja për Drejtësi për shkak të rrethanave të reja nuk fillon. Për detaje tjera drejtojuni ministres për Dialog, Edita Tahiri”, ka thënë ai.

Sipas Marrëveshjes për Drejtësi do të vendoset një gjykatë themelore dhe një zyrë prokuroriale në rajonin e Mitrovicës, ku përfshihen shtatë komuna ashtu siç përcaktohet me Ligjin për Gjykatat e Republikës së Kosovës.

Ligji për Gjykatat i Republikës së Kosovës Nr. 03/L-199, neni 2.7, përcakton se Gjykata Themelore e Mitrovicës me seli në Mitrovicë themelohet për territorin e Komunës së Mitrovicës Jug dhe Mitrovicës Veri, Leposaviqit, Zubin Potokut, Zveçanit, Skenderajt dhe Vushtrrisë. Sipas këtij Ligji në Kosovë ekzistojnë gjithsej shtatë gjykata themelore.

Delegacioni i udhëhequr nga ministrja Edita Tahiri kishte në përbërje edhe Nehat Idrizin, Tonka Berishajn, u.d. kryetare e Gjykatës së Apelit, këshilltaren dhe koordinatoren e çështjes, Arjeta Rexhaj, Albert Avdiu, drejtor i Sekretariatit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës dhe koordinator i grupit të punës për drejtësi dhe përfaqësuesi nga Ambasada e Kosovës në Bruksel, Haxhi Bajraktari.

Disa prej raporteve të KALLXO.com lidhur me bisedimet e Brukselit mund t’i gjeni duke klikuar këtu.