Davor Shuker. Foto: Flickr/ Nazionale Calcio.

Heronjtë e Sportit Kroat e Humbin Lojën me Rregullat e Politikës

Ata të gjithë brohorasin emrin tënd!

Të gjithë bërtasin dhe qajnë, qeshin dhe ulërasin, puthen dhe përqafohen.

Ata dinë çdo gjë për ty dhe familjen tënde dhe rrugën e gjatë drejt suksesit. Ata e dinë se sa fort je përpjekur për të arritur këtu, për të fituar, për t’i përfaqësuar të gjithë.

Ata e dinë si ecën dhe flet, si sulmon dhe mbrohesh. Ata i dinë dobësitë e tua dhe adhurojnë fuqinë tënde.

Fëmijë marrin emrin tënd dhe një ditë kur të largohesh nga kjo botë, shkollat, rrugët dhe sheshet do të kenë statujën ose do të marrin emrin tënd.

Nxënësit do të mësojnë për ty dhe të moshuarit do t’i tregojnë nipërve të tyre se si të kanë takuar dhe kanë folur me ty. Shumica do të jenë gënjeshtra, por këtë bëjnë të moshuarit.

Dhe nëse ke arritur rezultate të mëdha, ata mund t’i vënë emrin tënd një ‘periudhe’.

Ka dy lloje njerëzish që janë të etur për një jetë të tillë. Sportistët dhe politikanët.

Për politikanët arritja e një lavdie të tillë është jashtëzakonisht e vështirë, gjatë gjithë jetës së tyre në mos e pamundur. Veçanërisht nëse nuk përdorin metoda shtypëse dhe nuk krijojnë me forcë kulte personaliteti.

Për sportistët është shumë më e thjeshtë. Njerëzit i duan fitimtarët, kampionët e botës, medaljet olimpike. Shtetet i adhurojnë të gjitha llojet e sporteve, veçanërisht ato që i bëjnë mirë.

Kroatët dashurojnë futbollin, por gjithashtu e duan skinë kur fitojmë medalje të artë, ose MMA-në kur Cro Cop ose Stipe Mioçiç mundin dikë.

Ukrainasit e duan boksin dhe vëllezërit Klitschko, amerikanët i duan lojtarët e tyre të bejsbollit të cilët gjithmonë janë ‘kampionë bote’.

Dhe ata brohorasin emrat e tyre, u gëzohen fitoreve të tyre dhe qajnë kur humbasin. Kështu sportistët jetojnë atë që politikanët mund vetëm ta ëndërrojnë.

Dhe kjo i bën disa sportistë të mendojnë: “Kam dashurinë e popullit, ata brohorasin emrin tim, i frymëzoj dhe më besojnë. Mund të bëj më shumë sesa sporti. Ky vend nuk ka besim te politikanët dhe askush me karizëm të vërtetë nuk po lufton për përmirësimin e shoqërisë sonë. Duhet të ndërhyj.”

Nëse nuk e mendojnë ata, atëherë ua fusin në mendje menaxherët ose familjarët e tyre apo ndonjë parti politike e rëndomtë që do të përfitojë në kurriz të lavdisë së dikujt tjetër.

Kështu ata vendosin të fillojnë një karrierë politike.

Në Kroaci, kjo ka ndodhur me yjet e futbollit, basketbollit, skisë, atletikës dhe ata të arteve marciale.

Gra dhe burra me tituj botërorë, medalje ari dhe me dashurinë e kombit kanë vendosur të hyjnë në politikë. Duke shpresuar që të përdorin emrin dhe arritjet e tyre për të mirën e popullit.

Kjo nuk ka shkuar mirë.

Në sport ka rregulla. Ka arbitra. Ka kamera dhe teknologji moderne që numërojnë çdo pikë, çdo sekondë apo gram. Ka lojë të ndershme, kohë ose kufizime pikësh, sponsorë dhe bileta. Ka edhe pushim.

Në sport të falin nëse thua diçka gabim por vepron mirë. Dhe të brohorasin edhe nëse humb, por ke dhënë më të mirën.

Në sport, trajneri yt, menaxheri dhe shokët e skuadrës janë të gjithë bashkë. Në politikë, jo edhe aq.

Nuk ka rregulla kur bëhet fjalë për një ekonomi të dështuar dhe nuk ka gjyqtarë kur kundërshtarët mashtrojnë. Nuk ka aparat fotografik për të kapur korrupsionin apo lojë të ndershme gjatë zgjedhjeve.

Sponsorët nuk e vënë logon e tyre në fanellën tuaj, por provojnë t’ju hedhin lekë fshehurazi në llogari.

Nuk ka as pushim në politikë. Gjithë ditën, çdo ditë përfaqësoheni me gjithçka që bëni dhe thoni.

Anëtarët e ekipit tuaj nuk janë gjithnjë në njërën anë, dhe nëse humbni, askujt nuk i intereson nëse jeni përpjekur.

Dhe më e rëndësishmja nga të gjitha, turma e urren këtë lojë dhe nuk je mësuar me këtë.

Nuk ka medalje të artë për të drejtat e njeriut dhe nuk ka tituj botërorë për luftën ndaj korrupsionit.

Por nuk do të thotë se nuk ka stërvitje apo praktikë në politikë. Dhe njerëzit e shohin këtë.

Futbollisti ynë dikur i dashur, Davor Shuker është tani i urryer nga shumica e popullatës. Talenti i tij e lejoi të shënonte golat më të bukur, por nuk e ndihmoi kur u bë president i Federatës Kroate të Futbollit.

Çdo herë që ka një polemikë në federatë, njerëzit harrojnë një nga golat e tij. Ata tani nuk mbajnë mend asnjërin prej tyre, edhe pse ai bëri me qindra.

Janica Kosteliç, skiatorja olimpike legjendare, është tani sekretare shtetërore për sportin. Dikur e quajtur Mbretëresha, tani ajo shahet në rrugë nga njerëz që janë të lodhur nga krimi i organizuar që ende i dëmton klubet tona sportive.

E vetmja gjë që po rrëshket është pëlqimi për të.

Shumë nga figurat tona të njohura sportive e provuan fatin e tyre në parlament, por pasi u detyruan të ‘tregonin aftësitë e tyre’ në tema si ligji zgjedhor, decentralizimi i qeverisë apo krimet e luftës, shpejt vendosën se ‘politika nuk është për ta’. Të gjithë humbën një pjesë të popullaritetit të tyre gjatë rrugës.

Dhe kjo tregon se sporti dhe politika nuk shkojnë bashkë.

Është më e lehtë për njerëzit të bashkohen në mbështetje të dikujt që po luan sesa për dikë që po bën një reformë taksash. Apo pas dikujt që fiton një medalje sesa dikujt që fiton votimet. Pas dikujt që thyen një rekord sesa pas dikujt që shkel një premtim.

Sepse nuk është një lojë. Këtu nuk luhet me topa, këtu ti po luan me jetët tona.