Një mjet i kompanisë "Uniteti" duke pastruar | Foto: Facebook

Heqësit e Mbeturinave pa Paga në Mitrovicë

Tash e dy muaj punëtorët e Kompanisë Rajonale të Mbeturinave “Uniteti” në Mitrovicë kanë probleme me vonesën e pagave të tyre.

Këtë e ka pranuar edhe drejtori i kësaj kompanie Skender Tahiraj.

Por përgjegjësinë për këtë problem Tahiri ia lë Komunës së Mitrovicës, pasi sipas tij ka pasur probleme në transferimin e parave për shkak të disa kodeve.

Sipas drejtorit të kompanisë, në bazë ta marrëveshjes me Komunën e Mitrovicës, që nga 1 janari i këtij viti qytetarët pagesën për mbeturina e bëjnë në komunë.

“Përderisa e ka marrë përgjegjësinë për inkasimin e mjeteve,komuna është e obliguar që t’i transferojë mjetet në kompani,aty ku kryhen shërbimet“, tha Tahiraj.

Por Komuna e Mitrovicës tha se nuk mban përgjegjësi për pagat e punëtorëve të “Unitetit”.

“Ne si komunë nuk kemi të bëjmë fare me pagat dhe menaxhimin e brendshëm të kompanisë ‘Uniteti’”, thuhet në përgjigjen e Komunës së Mitrovicës për KALLXO.com.

Sipas komunës, “Uniteti” është angazhuar në dy projekte të Komunës së Mitrovicës për mirëmbajtje verore dhe dimërore të rrugëve të qytetit dhe menaxhimin e mbeturinave të tij.

Drejtori i kompanisë “Uniteti” u ankua se probleme me paga kjo kompani ka pasur edhe më herët.

“Më herët kanë ndodhur për shkak se qytetarët nuk kanë bërë pagesën dhe pagat e punëtorëve varen nga pagesat e tyre”, tha Skender Tahiraj për KALLXO.com.

Ai deklaroi se punëtorët do t’i marrin pagat në fund të vitit.

“Në fund të këtij viti do të kryhen të gjitha pagat, do të kompensohen edhe ato të dy muajve të kaluar”, tha drejtori Tahiraj për KALLXO.com.

KALLXO,com ka shkruar edhe për probleme me paga të punëtorëve të pastrimit në disa institucione të Kosovës.

http://kallxo.com/punetoret-e-pastrimit-perseri-ne-greve-per-rrogat-e-papaguara/