Mensa e Studentëve në Gjakovë e mbyllur nga Inspektorati Sanitar - Foto: KALLXO.com

Helmohen Dhjetëra Studentë në Gjakovë

Së paku 34 studentë të Universitetit të Gjakovës janë shtrirë në Spitalin Rajonal “Isa Grezda”, ku kanë kërkuar ndihmë meqë kanë simptoma të helmimit.

Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar Ahmet Asllani, drejtor i Spitalit Rajonal të Gjakovës.

Për shkak se nuk i ka zënë reparti i Infektivës, studentët janë shpërndarë  edhe në repartet e tjera.

Helmimi i mundshëm dyshohet se ka ardhur nga ushqimi, por kjo nuk është e sigurt, derisa të bëhen analiza.

Drejtori i Inspektoratit Shëndetësor i Komunës së Gjakovës, Mentor Sylmeta, ka njoftuar se i kanë mbyllur hapësirat ku shërbehet ushqimi në qendrën studentore.

“Jemi duke pritur Inspektoratin nga Prishtina për të marrë mostrat”, tha Sylmeta, duke treguar se Inspektorati i Gjakovës nuk ka mjete për marrjen e mostrave.

Ndërkohë, Instituti i Shëndetit Publik në Gjakovë ka njoftuar Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik.

Pamje nga Spitali i Gjakovës - Foto: KALLXO.com
Pamje nga Spitali i Gjakovës – Foto: KALLXO.com