Haziri: 'Flaka e Janarit' do të Ndërkombëtarizohet

Kreu i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri ka deklaruar sot se manifestimin e “Flaka e Janarit” nga viti i ardhshëm do ta bëjë manifestim ndërkombëtar.

Sipas tij, nga viti i ardhshëm “Flaka e Janarit” do bëhet më ndërkombëtare e regjionale, në mënyrë që këtë manifestim ta nxjerrin edhe për të huajt.

“Nga viti i ardhshëm “Flaka e Janarit” do t’i jap një dimension tjetër kulturor. Gjilanin e kemi bërë kryeqendër të kulturës dhe natyrisht që kjo pasqyrë e krejt aktivitetit kulturor e ka teatrin, sepse për një javë do të ketë shfaqje teatrale në konkurrencë, të cilat besoj që do të priten mirë nga publiku”, thuhet në komunikatën e lëshuar nga Komuna e Gjilanit.

Haziri si të mirë të këtij viti për Flakën e Janarit e ka zgjedhur edhe faktin që ky manifestim do të ketë zëdhënëse.

“Ky vit i ka dy të mira, është bërë zgjidhja buxhetore dhe e kemi zëdhënësen e “Flaka e Janarit 2018, Diana Toska, cila i adresohet mediave në emër të Bordit në çdo kohë”, citohet të ketë thënë Haziri, thuhet në komunikatën e Komunës së Gjilanit.

Qeveria e Kosovës të premten i ndau Komunës së Gjilanit 54 mijë euro për përgatitjen e këtij manifestimi.

Këtë vit është 27 vjetori i mbajtës së këtij manifestimi.