Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri | Foto: Atdhe Mulla

Haziri: Amanet i LDK-së Rikthimi i Komunave nga Lindja e Kosovës

Nënkryetari i LDK-së dhe kryetari i Gjilanit Lutfi Haziri ka shkruar në facebook për obligimet që sipas tij ka LDK-ja.

“LDK, si partia më e madhe politike sot, ka për obligim të kujdeset që proceset politike të Kosovës të ecin përpara”, shkroi Haziri.

Ai më tutje ka renditur këto obligime që i ka quajtur edhe amanete dhe detyra, duke përmendur edhe kthimin e komunave nga Lindja e Kosovës në territor të Kosovës

“Vota për demarkacionin me Malin e Zi, marrja e datës për liberalizimin e vizave, integrimi i minoriteteve etnike në nivel komunal dhe të drejtat e tyre në pushtetin lokal e deri në asociacionin e komunave me shumicë serbe, dialogu për normalizim dhe rikthimi i komunave nga Lindja e Kosovës brenda kufirit të Kosovës, Ushtria e Kosovës në Forcë të Armatosur dhe integrimet euroatlantike, janë detyrë dhe amanet që LDK t’i shtyjë përpara për Kosovën”, shkroi Haziri.

Ai edhe më herët kishte thënë që duhet të kthehet kufiri i viteve ’50 mes Kosovës e Serbisë.