Mbledhja e Komisionit për Legjislacion | Foto: KALLXO.com

Haxhiu: Tre Kandidatë të Komisionit të Jurisprudencës pa Përvojën që e Kërkon Ligji

Kryetarja e Komisionit për Legjislacion Albulena Haxhiu tha sot gjatë mbledhjes së këtij komisioni se tre anëtarë të komisionit për jurisprudencë nuk e kanë përvojën në sistemin e drejtësisë siç parashihet me ligj.

“Tre nga këta anëtarë nuk i plotësojnë kushtet e parapara me Ligjin për Provimin e Jurisprudencës, gjegjësisht, nuk i kanë 12 vite përvojë pune në sistemin e drejtësisë qysh e kërkon ligji”, tha Haxhiu.

Ajo deklaroi se këta anëtarë mund të jenë profesionistë, por u mungon përvoja e nevojshme për të qenë pjesë e Komisionit të Jurisprudencës.

“Megjithëse mund të jenë profesionalisht në rregull, Ligji për Provimin e Jurisprudencës, ashtu siç është aktualisht, kërkon 12 vite punë në sistemin e drejtësisë”, tha Haxhiu.

Kjo e fundit insistoi se Kushtetuta e Kosovës i përdor fjalët “sistem gjyqësor” për t’iu referuar avokaturës, prokurorisë, gjyqësorit dhe Gjykatës Kushtetuese.

Ndonëse anëtarët e Komisionit për Legjislacion, me përjashtim të Haxhiut, votuan për dërgimin në Kuvend të listës ku përfshihen edhe tre emrat e kontestuar nga Haxhiu, diskutimi i kësaj teme e mori shumicën kohës së mbledhjes.

Arben Gashi, Korab Sejdiu, Igor Simiq, Shkumbin Demaliaj, Bilall Sherifi, Hajdar Beqa dhe Brahim Shabani votuan për procedimin e listës me emrat e propozuar nga Ministria e Drejtësisë.

Anëtarët e tjerë të Komisionit, Korab Sejdiu nga AKR dhe Hajdar Beqa nga PDK, thanë se kanë marrë ankesa nga studentët që duan ta përfundojnë provimin e jurisprudencës dhe janë në pritje të themelimit të komisionit.

Sejdiu shtoi se sistemi i drejtësisë mund të interpretohet edhe më gjerë, në një mënyrë që e përfshin edhe pjesën e akademisë që i përgatit kuadrot juridike.

Emrat e tjerë të propozuar nga Ministria e Drejtësisë për të qenë anëtarë të Komisionit të Jurisprudencës janë Aleksandër Lumezi, i propozuar për kryetar zëvendësi i tij Besim Kelmendi, Nebojsha Boriçiq, Afërdita Bytyqi, Albert Zogaj, Gazmend Nushi, Haxhi Gashi Qerim Fazliji, Enver Peci dhe Emine Kaçiku.

Në nëntor të vitit të kaluar Komisioni për Legjislacion nuk shqyrtoi emrat e propozuar të Komisionit të Jurisprudencës, ngase ministri i Drejtësisë i tërhoqi këta emra për konsultim të mëtutjeshëm.

http://kallxo.com/pse-u-shty-emerimi-anetareve-te-komisionit-per-provim-te-jurisprudences-dokument/

Gjatë mbledhjes së këtij komisioni u miratua Raporti i Komisionit Funksional për Projektligjin për Masat Doganore për Mbrojtjen e të Drejtave të Pronësisë Intelektuale, ndërsa kaloi edhe draft-rregullorja e Kuvendit bashkë me propozimin e deputetit Sami Kurteshi që marrëveshjet ndërkombëtare të diskutohen në Kuvend para nënshkrimit.