Mbledhja e Komisionit për Legjislaacion Foto: KALLXO.com

Haxhiu: Shqetësues Mosndalimi i më Shumë se një Vendi Pune

Komisioni për Legjislacion në mbledhjen e sotme shqyrtoi Projektligjin për Parandalimin e Konfliktit të Interesit në Ushtrimin e Funksionit Publik.

Kryetarja e këtij Komisioni, Albulena Haxhiu tha se është shqetësuese fakti se ligji nuk e ndalon që një zyrtar i lartë të ketë më shumë se një vend pune dhe kjo duhet të adresohet nga komisioni te grupet punuese.

Rekomandime rreth këtij projektligji kishin edhe anëtarët e këtij komisioni.

Arben Gashi nga Lidhja Demokratike e Kosovës tha se ligji për parandalimin e konfliktit të interesit në ushtrimin e funksionit publik ka kaluar më së shumti në komisione.

Ndërsa anëtari i Komisionit nga Lëvizja Vetëvendosje, Glauk Konjufca tha se përmbushja e ligjeve në Kosovë është shumë larg asaj që do të duhej të ishte.

“Në Kosovë kemi të bëjmë me një problematikë që ekziston prej kohësh kur ne bëjmë ligje, e që është pamundësia e krijimit që ligjet të shkojnë bashkë me mekanizmat të cilët e bëjnë ligjin efektiv dhe të plotfuqishëm. Ligjet vazhdimisht ndryshojnë, por përmbushja e tyre është shumë larg asaj që do të duhej të ishte”, tha Konjufca

Ndërsa Korab Sejdiu nga LDK tha se primare duhet të jetë çështja e zbatimi të këtij ligji, përndryshe bëjmë debat kot.

“Çështja e mekanizmave zbatues është ajo se sa jemi në gjendje të krijojmë mekanizma që këto rregulla të zbatohen dhe të ketë sanksione për to. Ne si komision dhe si Kuvend duhet të sigurohemi dhe të parashohim mënyra për respektimin e këtyre rregullave”, tha Sejdiu.

Një kujdes i veçantë u kërkua nga anëtarët e këtij komisioni për Projekt-Kodin e Drejtësisë për të Miturit.

Korab Sejdiu nga Lidhja Demokratike e Kosovës tha se kjo është një temë mjaft e ndjeshme për të cilën do të duhej të merren rekomandime edhe prej ekspertëve të kësaj fushe.

Përveç këtyre pikave, Komisioni për Legjislacion shqyrtoi edhe propozimin e Fakultetin Juridik për zgjedhjen e anëtarit të Këshillit Prokurorial të Kosovës dhe shqyrtimi i kërkesave buxhetore të institucioneve që bien në fushëveprim të Komisionit për Legjislacion.