Albulena Haxhiu në #DebatPernime. Foto: Atdhe Mulla

Haxhiu: Prokuroria të Veprojë Nëse PAN-i Arrin 61 Deputetë

Deputetja e Vetëvendosjes Albulena Haxhiu ka kërkuar veprim të prokurorisë nëse koalicioni PDK- AAK- Nisma arrin të sigurojë më shumë se 61 deputetë në Kuvend.

“Andaj nëse koalicioni PAN arrin t’i ketë mbi 61 deputetë, do të duhej menjëherë të vepronte prokuroria sepse dihet hapur se ka pasur blerje o shantazh të deputetëve!”, shkroi Haxhiu në Facebook.

Deputetja më pas arsyetoi kërkesën për veprim të prokurorisë.

“Nuk mund të ketë përkrahje të vullnetshme për njerëz që janë përgjegjësit kryesorë për mjerimin, varfërinë, padrejtësitë e pabarazitë, por edhe per krimin e korrupsionin”, shkroi Haxhiu.

Haxhiu konsideroi se edhe “më herët ka pasur shitblerje të deputetëve”.

“Nuk duhet lejuar që shitblerja e deputeteve të shndërrohet në traditë. Raste të tilla kemi pasur edhe më herët dhe si të tilla janë injoruar nga prokuroria”, përfundoi Haxhiu.

Koalicioni PAN në zgjedhjet e 11 qershorit fitoi 39 deputetë. Koalicionit i duhet përkrahja e 22 deputetëve tjerë për të arritur shumicën në Kuvend.

Lëvizja Vetëvendosje në të njëjtat zgjedhje u rendit menjëherë pas këtij koalicioni me 32 deputetë.

Albulena Haxhiu ishte e shtata për nga votat në Listën e Vetëvendosjes. Ajo fitoi 19 mijë e 520 vota.