Albulena Haxhiu në #DebatPernime. Foto: Atdhe Mulla

Haxhiu Llogarit Pagën e Thaçit Pas Rritjes së Rrogës së Haradinajt

Deputetja e Vetëvendosjes Albulena Haxhiu ka shkruar sot në facebook për efektin që do të ketë rritja e pagës së Haradinajt te rroga e Presidentit Hashim Thaçi.

Haxhiu ka shkruar se aktualisht paga e kryeministrit është më e madhja nga krerët institucionalë, ndërsa sipas ligjit, më e larta duhet të jetë rroga e Presidentit

“Aktualisht, sipas vendimit të paligjshëm, arbitrar e skandaloz të Qeverisë Haradinaj për pagat e tyre, paga e Haradinajt është paga më e lartë krahasuar me pagat e udhëheqësve tjerë”, ka shkruar Haxhiu.

Ajo ka treguar se në nenin 11 të Ligjit për Presidentin thuhet se paga në këtë post është më e larta në krahasim me postet tjera të institucioneve shtetërore.

“Paga e Presidentit të Republikës së Kosovës është paga më e lartë në kuadër të institucioneve shtetërore të Republikës së Kosovës”, thuhet në këtë nen, sipas Haxhiut.

Në pjesën tjetër të këtij neni, Haxhiu ka bërë me dije se thuhet që paga e presidentit është 25 për qind më e lartë se ajo e krerëve tjerë institucionalë.

“Paga e Presidentit të Republikës gjithmonë duhet të jetë së paku njëzet e pesë për qind (25%) më e lartë se të ardhurat e përgjithshme të Kryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe udhëheqësve të tjerë institucionalë”, citon nenin 11, pikën 2 të Ligjit për Presidentin Haxhiu.

Në bazë të këtij 25 përqindëshi, Haxhi ka llogaritur sa do ta ketë rrogën Thaçi.

“Pra nëse Haradinaj do të ketë pagën afër 3000, Hashim Thaçi do ta ketë më shumë se 3500, ose afër 4000, plus meditjet e reprezentacioni!”, shkroi Haxhiu.

Ajo këtë gjë e ka quajtur “tmerr të vërtetë”.

Edhe ministri i drejtësisë Abelard Tahiri, pasi kryeministri Haradinaj i rriti pagën vetes dhe anëtarëve të kabinetit, konstatoi se gjyqtarët dhe prokurorët në Kosovë do të kenë pagat më të mira në rajon.

http://kallxo.com/tahiri-gjyqtaret-dhe-prokuroret-pagat-te-larta-ne-rajon/