Pamje nga takimi i Komisionit për Legjislacion - Foto: KALLXO.com

Haxhiu: Kandidatët për KGjK Pa Njohuri Bazike

Komisioni për Legjislacion i ka intervistuar sot kandidatët serbë për anëtarë të Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGjK), Nenad Laziqin dhe Bogolub Staletoviqin.

Mbledhja, e cila me vendim të Komisionit u vendos të mbahet e mbyllur për mediat, në fillim prodhoi një zënkë verbale ndërmjet deputetes Albulena Haxhiut dhe asistentit të deputetit të LDK-së, Armend Zemajt, për shkak të vonesës së këtij të fundit.

“Nëse nuk vjen për 3 minuta do e filloj mbledhjen dhe zoti Zemaj nuk mund të marrë pjesë në poentimin e kandidatëve. Ai gjithmonë kështu vonohet”, u shpreh kryesuesja e këtij Komisioni.

“Zemaj është deputeti që mungon më së paku në mbledhje të Komisionit, të paktën nuk mungoi më shumë se ju, se ju e bojkotojshi Kuvendin”, ishte reagimi i asistentit të Zemajt.

Ndërsa Haxhiu u përgjigj duke e pyetur se kush ishte ai që i flet për bojkotin dhe veprimet e saj politike brenda Kuvendit.

E para se të hynin për intervistë, kandidatët u panë duke u shoqëruar me deputetin e Listës Serbe, Slobodan Petroviq.

Pas intevistës asnjëri prej kandidatëve nuk pranuan të deklarohen në lidhje me takimin.

Kurse, pas takimit, kryesuesja e Komisionit, Albulena Haxhiu, tha se kandidatët nuk kishin as njohuritë bazike për sistemin gjyqësor të Kosovës.

“Unë kisha shumë vërejtje. Kandidatët nuk i kishin as njohuritë bazike për sistemin gjyqësor të Kosovës. Ata kandidojnë për pozitë në Këshillin Gjyqësor të Kosovës ndërsa nuk e dinë se kujt i raporton ky Këshill”, deklaroi Haxhiu.

Sipas Albulena Haxhiut kandidatëve u janë bërë nga 3 pyetje prej secilit anëtar të Komisionit. Por, e pranoi se asnjëri nuk i kishte pyetur nëse e njohin sistemin gjyqësor të Kosovës, institucionet apo shtetësinë e Kosovës, ndonëse tha se do të duhej të pyeteshin.

“Njëri prej kandidatëve u pa se kishte lidhje të afërta me Listën Serbe dhe unë besoj që ka me pasë pazare politike nga LDK-PDK dhe Lista Serbe që ta votojnë atë”, tha në mes tjerash ajo.

Konkursi për anëtarë të KGjK-së ishte hapur për shkak të dorëheqjes së ish-anëtarit Dragan Veljkoviq, i cili në të njëjtën kohë ishte edhe kandidat për zgjedhjet e përgjithshme serbe.

http://kallxo.com/konkurs-per-nje-anetar-te-kgjk-se/

Përndryshe, Nenad Laziq është gjykatës në Gjykatën e Apelit.

Ushtruesja e detyrës së kryetares së kësaj Gjykate, Tonka Berisha, në një prononcim për KALLXO.com e vlerësoi lartë punën e gjykatësit Laziq. “Deri tash nuk kam pasë asnjë vërejtje nga dikush për punën e tij”, tha ajo.

Ndërsa kandidati tjetër që ishte në intervistë, Bogolub Staletoviq, ka qenë për gati 2 vjet zëvendës i Avokati të Popullit të Kosovës, derisa u suspendua nga kjo pozitë.

http://kallxo.com/vazhdojne-mosmarreveshjet-te-institucioni-i-avokatit-te-popullit/

http://kallxo.com/posti-i-avokatit-te-popullit-fut-ne-gare-18-kandidate/