Havolli: Plagosja e Vllasit, Goditje në Drejtësinë

Kryetari i Odës së Avokatëve të Kosovës, Osman Havolli, e ka quajtur sulmin ndaj avokatit Azem Vllasi, goditje në sistemin e drejtësisë.

Oda e  Avokatëve të Kosovës ka reaguar ndaj plagosjes së Azem Vllasit sot në mëngjes.

NDËRLIDHUR

Havolli tha se Oda e Avokatëve është shumë e shqetësuar për lirinë e të drejtave të njeriut dhe sigurinë e avokatëve në Kosovë.

“Oda e Avokatëve të Kosovës shpreh brengën dhe shqetësimin tonë shumë të madh sepse kjo është goditje në sistemin e drejtësisë së Kosovës dhe në mbrojtjen e lirive dhe të drejtave të njeriut që është synimi kryesor i krijimit të një shteti ligjor dhe funksional”, tha Havolli.

Avokati Azem Vllasi ka marrë plagë nga arma e zjarrit mëngjesin e sotëm në afërsi të banesës së tij, ndërkaq motivet e incidentit ende nuk janë bërë të ditura.

Havolli gjithashtu deklaroi se nuk ka ndonjë dyshim konkret se kush mund ta ketë bërë plagosjen apo për çfarë qëllimi

“Mendoj se kjo çështje ma e gjerë, nuk mund të lokalizohemi tani për tani se prej çka ka ardhur dhe nga ka ardhur dhe çka ka qenë qëllimi I këtij sulmi të avokatit dhe politikanit, Azem Vllasi”, konstatoi Havolli.

KALLXO.com ka raportuar mbi plagosjen e Vllasit dhe gjendjen e tij momentale në QKUK.

Ndërsa Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në reagimin e tij ka shprehur shqetësimin për plagosjen e avokatit Vllasi.

“Me shqetësim pranova lajmin për plagosjen e avokatit Azem Vllasi. Aktet e tilla janë të papranueshme dhe të dënueshme në një shoqëri, e cila prioritet kryesor ka forcimin e sundimit të rendit dhe ligjit. Avokatit Vllasi i uroj shërim të shpejtë, ndërsa nga autoritetet përkatëse pres që ta sjellin përpara drejtësisë autorin e këtij krimi”, ka Thaçi nw reagimin e tij.

13 Mars 2017 - 10:43

Doruntina Baliu, Adelina Ahmeti 13/03/2017 - 10:43
NDËRVEPRIMI0