Mytaher Haskuka (LVV). Foto: Kallxo.com

Haskuka: PZAP të mos Bie Pre e Presioneve të PDK-së

Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Prizrenit, Mytaher Haskuka, në një konferencë për media i ka bërë thirrje Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa që të mos bjerë pre e presioneve dhe trysnive, sipas tij të PDK-së dhe Kadri Veselit.

“Kërkoj nga PZAP-i që të mos bie pre e këtyre presioneve që po iu bëhen nga PDK-ja dhe Kadri Veseli dhe që të shikojnë mirëfillti të gjitha librat e votimit dhe fletëzat ku janë të nënshkruara të gjitha vëzhguesit dhe komisionarët ku ata kanë shkruar se s’ka vërejtje për procesin zgjedhor”, tha Haskuka.

Nga ky presion sipas Haskukës po tentohet të ndryshohet rezultati.

“Dy vëzhgues deklarojnë për disa parregullsi që ata kinse i paskan vërejtur, po kërkohet anulimi i katër vendvotimeve ku ka më shumë se 1 mijë vota dhe kjo është intervenim ose trysni ndaj këtyre vëzhguesve që ata me deklarata të rrejshme të kërkohet një ndryshim i gjendjes ose vullnetit të qytetarëve të Prizrenit”, tha tutje në konferencë Haskuka.

Ai konsideroi se në këtë qendër gjithçka shkoi si duhet.

“Në një qendër të votimit ku gjithçka ka rrjedhur në mënyrë të mirë dhe ku ne kemi korrur një fitore të madhe, tani Kadri Veseli me SHIK-un dhe PDK-në po mundohen që të ndryshojnë gjendjen duke bërë trysni tek njerëzit që të japin deklarata”, tha Haskuka.

Ndërsa sa u përket votave me kusht që sipas Haskukës janë 944 vota, është e pamundur që të ndryshohet rezultati pas numërimit të tyre.

“Nuk ka gjasa statistikore dhe praktike që të ndodhë diçka e tillë, pra 944 vota nuk mund të ndërrojnë në rezultat ku unë jam në përparësi për 440 vota”, tha Haskuka në një konferencë për media të organizuar nga Lëvizja Vetëvendosje.

Partia Demokratike e Kosovës në një konferencë të organizuar sot gjatë ditës ka “kërcënuar” me mospranim të rezultateve në Prizren, pasi që ata dyshojnë se ka pasur keqpërdorim të votave kundër PDK-së.

http://kallxo.com/pdk-ja-kercenon-mospranim-te-rezultateve-ne-prizren/

Sipas rezultateve preliminare të KQZ-së Mytaher Haskuka fitoi garën e Prizrenit me 50, 32 për qind të votave, ose 29, 509 vota, ndërsa Shaqir Totaj i PDK-së mori 25,180 vota, ose 49, 68 për qind të tyre.

Por në Prizren ende nuk janë numëruar votat me kusht, ato me postë dhe votat e personave me aftësi të kufizuar.