Haskuka i Përgjigjet Akuzave të PDK-së për Bartje të Kutive të Votimit

Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Prizrenit, Mytaher Haskuka, reagoi sot ndaj pretendimeve të PDK-së se komisionerë të Vetëvendosjes kanë bartur kuti votimi nëpër qendra të votimit më 19 nëntor, ditën kur u mbajt balotazhi, në Prizren.

Haskuka në rezultatet e publikuara nga KQZ ka rreth 300 vota më shumë se rivali tij nga PDK, Shaqir Totaj, por PDK sot hodhi dyshime për keqpërdorime ditën e zgjedhjeve.

Ai i quajti “shpifje” akuzat e PDK-së.

“Argatët e Klanit Pronto, Blerand Stavileci dhe Kujtim Gashi vazhdojnë me shpifjet duke u munduar me e arsyetu humbjen para shefave të tyre”, tha Haskuka në një reagim në profilin e tij në Facebook.

“Shumë pare kanë dhanë me ble vota e me manipulu me procesin zgjedhor në Prizren po prapë humbën. Kanë përdorë të gjitha mekanizmat shtetnore, bile i dënuan aktivistët pa prova vetëm me ndiku në procesin zgjedhor por prapë e humbën “Jerusalemin” e tyre. Tash veq propaganda e shpifja ju ka mbete”, shtoi Mytaher Haskuka.

“Të përkujtoj Blerandin e Kujtimin që ata në ditën e zgjedhjeve nuk kanë pas asnjë vërejtje edhepse në çdo vendvotim i kanë pas minimum nga 5 komisionerë nga koalicioni PDK dhe nga 4 vëzhgues. Tash si humbës që janë, shpifin e kërcënojnë vëzhgues duke bërë vepra penale” tha ai.