Hashim Thaçi Zgjedhet President i Kosovës

Kryetari i deritanishëm i PDK-së, Hashim Thaçi, është zgjedhur President i Kosovës pas tri raundeve të votimit në Kuvend dhe përleshjeve të vazhdueshme ndërmjet protestuesve opozitarë dhe policisë jashtë ndërtesës së Kuvendit.

Pasi nuk kishte mundur t’i marrë votat e mjaftueshme në dy raundet e para, në votimin e tretë Hashim Thaçi mori 71 vota, kundërkandidati i tij Rafet Rama asnjë, ndërsa të pavlefshme ishin 10 fletëvotime.

Në fjalimin e tij të parë si President i zgjedhur i Kosovës, Thaçi tha se detyra e re në krye të shtetit “është një besim për një detyrë dhe përgjegjësi për t’i shërbyer vendit dhe qytetarëve të Kosovës”.

“Falënderoj të gjithë deputetët e të gjitha partive politike që kanë marrë pjesë në votim dhe përshëndes të gjithë njerëzit në skenën politike të Kosovës. Besimi juaj do të jetë një shpresë e re dhe optimizëm i ri për Republikën e Kosovës. Do të punoj gjithmonë në shërbim të vendit, do të punoj gjithmonë në shërbim të Republikës së Kosovës”, tha Thaçi.

Mandati i Thaçit si President do të fillojë më 7 prill kur pritet që ta bëjë betimin në Kuvendin e Kosovës.