Hashim Thaçi: Ivanov Varrosi Demokracinë

Në një deklaratë të lëshuar sot paradite, Thaçi i quajti shqetësuese zhvillimet në Maqedoni.

“Presidenti Ivanov abuzoi me Kushtetutën dhe ligjet në qasjen e tij armiqësore e antishqiptare, që përbëjnë një të tretën e qytetarëve të këtij shteti”, tha Thaçi në deklaratën e postuar në Facebook.

“Me vendimin e tij, presidenti Ivanov varrosi demokracinë, duke mos njohur vullnetin e qytetarëve, Kushtetutën dhe ligjet, si dhe varrosi Marrëveshjen e Ohrit”, shtoi ai.

Ivanov nuk ia mundësoi liderit të LSDM-së formimin e qeverisë, pavarësisht se ai kishte mbledhur firmat e mjaftueshme të deputetëve.

Arsyetimi i Ivanov ishte se partitë shqiptare që u lidhën në koalicion qeveritar me Zaevin e kanë lidhur marrëveshjen mes tyre në një shtet tjetër, duke aluduar në një takim të liderëve të shqiptarëve të maqedonisë të mbajtur në Tiranë muajin e kaluar.

“Shqiptarët në Maqedoni janë popull shtetformues dhe Maqedonia duhet të jetë shtet i të gjithë qytetarëve të saj”, tha Thaçi.

Presidenti i Kosovës tha se pa të drejta të barabarta të shqiptarëve në Maqedoni, “humb kuptimi i funksionimit të shtetit të Maqedonisë”.

“Shqiptarët duhet të marrin fatin e të drejtave të tyre në duart e veta”, tha Thaçi.