Hashim Thaçi e Edi Rama në ‘Jeta në Kosovë’

Pas dhjetë vitesh, Hashim Thaçi ka folur për emisionin “Jeta në Kosovë”, tash në cilësinë e Presidentit.

Në intervistën me Jeta Xharrën që do të transmetohet sonte në RTK në kuadër të emisionit “Jeta në Kosovë” në orën 20:15, Presidenti flet për çështjen e debatuar të kohëve të fundit të raporteve Kosovë- Shqipëri, për autostradën e cila u perceptua si injorim i Kosovës nga Tirana e Beogradi, për luftën ndaj korrupsionit, për kryetarët e komunave të dënuar e me aktakuzë nga partia që ai e drejtonte dikur (PDK) si dhe për preferencat e tij në garën për President të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Në këtë emision do të transmetohet edhe intervista që Jeta Xharra ka zhvilluar me kryeministrin shqiptar, Edi Rama, gjatë vizitës së tij në Beograd. Në këtë intervistë, Rama flet për gjithashtu për debatet e fundit Kosovë- Shqipëri, për raportet Shqipëri- Serbi si dhe për atë nëse shqiptarët duhet të ndihen fitimtarë apo humbës në luftën e fundit.

Gjatë emisionit do të transmetohen edhe pjesë interesante nga debati Edi Rama- Aleksandar Vuçiq në Forumin e Sigurisë në Beograd si dhe një intervistë me Natasha Kandiq nga Fondi për të Drejtën Humanitare në Beograd rreth gjykimit të rasteve të krimeve të luftës në Serbi.