Hasani: Gjuajta me Armë për t’i Larguar Shpirtrat e Këqij

Deputeti i PDK-së, Nait Hasani tha se zëvendëskryeministri Dardan Gashi ka treguar një kulturë në momentin e gjuajtjes me armë nga dritarja.

“ Unë mendoj që ka bërë një hap pozitiv kur ka dalë atje dhe ka gjuajtur. E ka treguar një kulturë. Kjo është kulturë mos me gju brenda në ambient të mbyllur”, tha Hasani.

Deputeti Hasani në fjalimin e tij tha se gjuajtja me armë  është pjesë e traditës për t’i larguar shpirtrat e këqij.

“ Mendoj që familjet e tyre janë gëzuar kur kanë lindur, me i largu shpirtrat e ligj dhe me ju thanë e paçit rrugën e mbarë dhe u trashëgofshi dhe u rriteshit e u bëfshi të mëdhenj pikërisht me ardhë nëpër Kuvend, me u bë ministra, zëvendësministra, zëvendëskryeministra dhe deputetë”, tha Hasani.

Fjalimi i tij e çuditi Kujtim Shalën nga LDK-ja i cili po kryeson seancën për interpelancën në Kuvendin e Kosovës.

“ Vërtet në këtë pozicion nuk më lejohet të komentoj, po edhe po të doja moralizime është e pamundur të komentoj. Unë dua të them se kur e ke parasysh profilin ideologjik të Naitit, ky si fjalim mu duk i jashtëzakonshëm, sepse nuk takohen në asnjë pikë”, theksoi Shala.