Gjyqtari i PZAP: Faktet që Çuan Prishtinën në Rinumërim

Në një deklarim për KALLXO.com, gjyqtari Hasan Shala, kryesuesi i Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), ka thënë se rrethanat në vendimin për hedhje poshtë të ankesës së LDK-së për rinumërim të votave në Podujevë në zgjedhjet parlamentare të 11 qershorit sivjet, dallojnë nga rrethanat në të cilat është vendosur për rinumrimin e votave në Komunën e Prishtinës.

“Për të dy vendimet kanë ekzistuar rrethana të ndryshme. Të gjitha rrethanat për të cilat është vendosur për rinumrim të votave në Prishtinë janë të përfshira në vendim”, tha Hasan Shala për KALLXO.com.

Ai, megjithatë nuk deshi të komentojë lidhur me përmbajtjen e vendimit për rinumërim të votave, me arsyetimin se “të gjitha arsyet janë të shkruara në vendim”.

PZAP ka nxjerrë vendimin me të cilin kërkohet nga KQZ të rinumërojë të gjitha fletëvotimet e rregullta, fletëvotimet e pavlefshme dhe ato të paplotësuara.

Paneli ka konsideruar të bazuara ankesat e subjektit politik Lidhja Demokratike e Kosovës, dhe konstatoi se “numri i madh i fletëvotimeve të pavlefshme dhe të zbrazëta dhe veçanarisht rezultati i ngushtë në mes të dy kandidatëve dhe mospërputhjeve të shumta të votave të pavlefshme … mund të kenë ndikim në rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve”.

Ky vendim ka nxitur reagimin e ashpër të Vetëvendosjes, kandidatët e së cilës janë në epërsi të ngushtë ndaj rivalëve të tyre në këto komuna.

Kryetari i VV-së Visar Ymeri dhe se dy kandidatët e kësaj partie për kryetarë të Prishtinës e Prizrenit, Shpend Ahmeti e Mytaher Haskuka, dolën në konferencë për shtyp për t’i sfiduar vendimet të cilat i dërgojnë në rinumërim votat e këtyre komunave dhe ndalojnë numërimin e fletëvotimeve me kusht, atyre me postë dhe fletëvotimeve të personave me nevoja të veçanta.

Ahmeti e Haskuka janë në epërsi të ngushtë ndaj rivalëve të tyre nëpër komuna, Arban Abrashit të LDK-së dhe Shaqir Totajt të PDK-së.

Visar Ymeri u tregua i ashpër ndaj këtyre vendimeve.

“Dy vendime të marra sot janë të papranueshme, të jashtëligjshme dhe absurde; vendimi i KQZ-së për të mos i numëruar votat për Prizrenin dhe Prishtinën dhe vendimi i PZAP për rinumërim, tha ai.

“Me këto vendime po tentohet grushtshteti ndaj vullnetit të qytetarëve të Kosovës. Janë bërë bashkë kundër qytetarëve dhe VV nuk do të lejojë në asnjë mënyrë që të anulohet vullneti i popullit. Nuk do të rrimë duarkryq dhe nuk do të ketë qetësi. U bëjmë thirrje vëzhguesve dhe ambasadave të reagojnë kundër këtij dhunimi të demokracisë dhe grushtshtetit”, shtoi ai.

Ndërsa Ahmeti kërkoi nga KQZ që ta vazhdojë numërimin e votave me kusht dhe me postë për komunën e Prishtinës.

“Nuk ka logjikë ligjore që të bëhet rinumërimi pa u numëruar votat. Kërkojmë në mënyrë urgjente që KQZ ta bëjë numërimin e votave me kusht dhe me postë për komunën e Prishtinës”, tha ai.

I ashpër ndaj këtyre vendimeve ishte edhe Mytaher Haskuka.

“Të gjithë do të bashkohemi ta mbrojmë vullnetin e qytetarëve të Prizrenit dhe Prishtinës për atë që kanë votuar më 19 nëntor”, tha Haskuka.