Ish-drejtori i AKK-së, Hasan Preteni

Hasan Preteni Kërkon 150 Mijë Euro nga ‘Çohu’ për Shpifje

Në Gjykatën Themelore të Prishtinës është mbajtur seanca përgatitore në rastin e ish-drejtorit të Agjencisë Kundër Korrupsionit, AKK, Hasan Preteni, i cili ka paditur për shpifje organizatën joqeveritare “Çohu” dhe Qendrën e Kosovës për Gazetari Hulumtuese, e cila vepron në kuadër të “Çohu”.

Preteni dhe AKK po kërkojnë nga Gjykata që të nxjerrë aktgjykim përmes të cilit të paditurit “Çohu”, Lorik Bajrami dhe Artan Demhasaj, përfaqësues të kësaj organizate, si dhe Besnik Boletini nga Qendra e Kosovës për Gazetari Hulumtuese, në mënyrë solidare atyre në emër të shpërblimit të dëmit jometarial për shkak shkak të shpifjeve që i kanë bërë t’ia paguajnë në total shumën prej 150 mijë euro, AKK-së 50 mijë dhe Hasan Pretenit 100 mijë.

Sipas padisë, përfaqësuesit e OJQ-së “Çohu” në vitin 2012 në një konferencë për medie kishin deklaruar se Preteni ka mbrojtur 7 deputetë të Kuvendit të Republikës së Kosovës për mosdeklarim të pasurisë.

Në këtë proces gjyqësor paditësi pretendon se “Çohu” ka shpifur për të gjatë kohës sa ishte drejtor i AKK-së.

Sipas padisë, që të gjitha këto deklarime të prezantuara në konferencë për media nga OJQ “Çohu” më 16 shkurt 2012 i kanë publikuar në gazetën mujore “Preportr” në muajin prill të vitit 2012, në faqen 4, 5 dhe 6.

Preteni pretendon se është ndjerë i fyer nga ky publikim, përmes përhapjes së fakteve të pavërteta.

Më tej, në padi ai ka pretenduar se ky publikim ka sulmuar vlerat e tij personale dhe në këtë mënyrë ka dëmtuar rëndë nderin dhe autoritetin e tij personal si dhe të AKK-së.

Në anën tjetër, në përgjigjen në padi, organizata “Çohu” ka kërkuar nga Gjykata që padia e Pretenit të refuzohet si e pabazuar dhe jolëndore.

Ata e kanë quajtur të parregullt padinë e personit juridik (AKK-së) dhe personit fizik (Hasan Preteni), me arsyetimin se Preteni nuk mund të paraqitet si i dëmtuar dhe në të njëjtën kohë si person fizik ngase ‘ai është drejtor i saj’.

“Padia e paditësit të parë dhe paditësit të dytë është e paqartë, konfuze dhe e parregullt sepse paditësi i dytë nuk ka legjitimitet aktiv për ta përfaqësuar paditësin e parë veç me faktin se ai e drejton këtë organizatë sipas ligjit. Përkundrazi ka konflikt interesi sepse dëshiron që përmes paditësit të parë të realizojë një shpërblim të supozuar moral nga shpifja që pretendon se i është bërë atij nga Organizata Çohu”, shkruhet në përgjigjen në padi të cilën e ka siguruar KALLXO.com.

Sipas të gjeturave të prezantuara në konferencën për media më 16 shkurt 2012, 7 deputetë nuk e kishin deklaruar pasurinë e tyre në bazë të Ligjit dhe nuk kanë deklaruar një pjesë të bizneseve të tyre, “të cilat kanë pasur për obligim ta bëjnë”.

Për këto raste, “Çohu” thotë se drejtori i Agjencisë në një prononcim televiziv më 6 dhjetor 2011 kishte mbrojtur këta deputetë me arsyetimin se nuk e kanë shkelur Ligjin, pasi që bizneset i kanë pasur pasive dhe të njëjtat nuk kanë pasur qarkullim dhe asnjë aktivitet.

Më tej, sipas të paditurve, Preteni e AKK në padi nuk kanë arritur të sqarojnë se cilat ishin veprimet shpifëse ndaj Agjencisë dhe cilat ndaj paditësit të dytë, vet Hasan Pretenit dhe se padia nuk specifikon se kur Preteni i referohet vetvetes, kur i referohet pozitës së tij apo kur po i referohet Agjencisë.

“Çohu” tërë kohë i është referuar Pretenit si drejtor i Agjencisë, që ka vepruar në kundërshtim me rregullat e brendshme, ashtu që ka shkelur ligjin dhe se Preteni në cilësinë e drejtorit apo vartësit e tij kanë falsifikuar dokumentet zyrtare duke ndërhyrë në formular përmes të cilave ka legalizuar përmbajtje të pavërtetë.

Ndërkaq, të martën, në seancën përgatitore e autorizuara e paditëses së parë (AKK- së), Nazmije Aliu, ka thënë se mbetet në tërësi pranë padisë dhe kërkesës së saj. Njëjtë është deklaruar edhe e autorizuara e paditësit të dytë, Hasan Pretenit, avokatja Fehmije Gashi- Bytyqi.

Më tej, avokatja Gashi- Bytyqi theksoi se në seancën e radhës do ta sigurojnë gazetën mujore “PREPORTR”, ku, sipas saj, të paditurit kanë fyer paditësin dhe me fakte të pavërteta për paditësin e dytë kanë sulmuar vlerat e tij personale.

Ndërkaq, avokati i organizatës “Çohu”, Admir Salihu, gjatë seancës ka theksuar se e konteston në tërësi padinë, duke shtuar se në kërkesëpadi është e paqartë se kur ka ndodhur shpifja, sepse në të nuk është specifikuar momenti dhe veprimi i të paditurve karshi paditësit.

Avokati Salihu, gjatë seancës së sotme theksoi se organizata “Çohu” është shërbyer me dokumente të nxjerra nga vet Agjencia Kundër Korrupsionit.

“Po ashtu organizata “Çohu” ka vepruar në dobi të interesit publik dhe se e njëjta qëndron prapa atij raporti të publikuar ndërkohë që ne i propozojmë Gjykatës që lidhur me këtë të administrojë provën CD e bashkangjitur me përgjigjen në padi në të cilën është deklarata e paditësit në RTK ku ka deklaruar se bizneset janë jo aktive për shkak që kanë qarkullim zero në ATK, rrjedhimisht nuk kanë qenë të obliguar të deklarohen në AKK. Po ashtu në këtë CD përmbahet edhe deklarata e paditësit të njëjtë në KTV në të cilën deklaron se pavarësisht bizneset a kanë qarkullim apo nuk kanë qarkullim, janë të obliguar të deklarojnë në AKK”, ka shtuar avokati Salihu.

Seanca e shqyrtimit kryesor u caktua për 6 dhjetor 2017.

Fillimisht, kjo seancë ishte paraparë të mbahej më 5 qershor të këtij viti, por për shkak të mosparaqitjes së përfaqësuesit të së paditurës padia është konsideruar si e tërhequr.

Por, më pas, përfaqësuesi i së paditurës ka bërë propozim për kthim në gjendjen e mëparshme, propozim ky i cili iu aprovua nga Gjykata, me ç‘ rast edhe është anuluar aktgjykimin përmes së cilit padia është konsideruar e tërhequr.