Xhamia e Çarshisë | Foto: MKRS

‘Harrohet’ që 4 Vjet Restaurimi i Xhamisë së Çarshisë

Që nga ndërprerja e punimeve në vitin 2013 restaurimi dhe konservimi i kësaj xhamie nuk ka rifilluar ende as në vitin 2017. Kjo situatë po kontribuon që objekti i Xhamisë së Çarshisë të degradohet.

Komuna e Prishtinës ka thënë se është duke iniciuar një bashkëpunim me organizatën turke “TIKA” për mbështetjen dhe vazhdimin e punimeve për restaurimin dhe konservimin e Xhamisë së Çarshisë.

“Xhamia e Çarshisë vijon të mbetet prioritet i Komunës së Prishtinës dhe në kuptim të kësaj është iniciuar bashkëpunimi me Organizatën Turke për Koordinim dhe Bashkëpunim ‘TIKA’ për të mbështetur punimet në këtë objekt monumental të trashëgimisë kulturore, me qëllim të ofrimit të ekspertizës së tyre. Konservimi dhe mbrojtja e trashëgimisë kulturore, sipas ligjit, mbeten përgjegjësi e Institutit për Mbrojtjen e Monumenteve të Trashëgimisë”, thuhet në përgjigjen e Komunës së Prishtinës për KALLXO.com.

Bisedimet me organizatën turke “TIKA” që punimet të vazhdojnë në vitin 2017 i ka konfirmuar edhe Agim Gërguri, drejtori i Institutit për Mbrojtjen e Monumenteve Kulturore(IMMK).

“IMMK-ja është në bisedime me organizatën ‘TIKA’ që punët rreth konservimit/restaurimit të vazhdohen sivjet, pasi që të arrihet marrëveshja, ku punët do të vazhdojnë sipas projektit të filluar pasi që kanë mbetur edhe 25% të punëve që të përfundohet”, vazhdoi Gërguri.

Në vitin 2011, Komuna dhe IMMK kishin nënshkruar një marrëveshje, sipas të cilës, komuna ofronte 562 mijë euro për katër fazat e punimeve që do t’i kryente IMMK-ja për restaurimin e Xhamisë së Çarshisë.

Kështu, për realizimin e fazës së parë të punimeve, komuna ka ndarë 80 mijë euro, për realizimin e fazës së dytë 250 mijë, në fazën e tretë ka ndarë 100 mijë euro, ndërsa në fazën e katërt për përfundimin e tërësishëm të projektit komuna kishte ndarë 132 mijë euro.

Edhe përkundër mjeteve të ndara nga Komuna e Prishtinës punimet në restaurimin e Xhamisë së Çarshisë kanë mbetur të papërfunduara.

“Komuna disa herë ka njoftuar që mjetet e ndara për Insitutin më herët nga fondi publik nuk kanë përmbushur objektivat e marrëveshjeve të arritura dhe për pasojë, me gjithë mjetet e ndara nga Komuna, punët në restaurimin e Xhamisë së Çarshisë mbeten të papërfunduara nga ana e Institutit”, theksohet në përgjigjen e Komunës së Prishtinës për KALLXO.com.

Nga ana tjetër Agim Gërguri, drejtori i IMMK-së ka thënë për KALLXO.COM se buxheti i ndarë nga Komuna e Prishtinës nuk ka qenë i mjaftueshëm për përfundimin e punimeve në këtë xhami.

“Puna konservuese/restauruese është një punë që zgjat shumë, pasi që objekti në fjalë është i shekullit të XV dhe është nën mbrojtje të shtetit, punët në xhami janë kryer 85%. Në mungesë të buxhetit punët kanë ngelë pa u kry”, tregoi Gërguri.

Përveç kësaj, Komuna e Prishtinës ka thënë që në buxhetin e saj të projektuar për vitin 2017 janë ndarë mjete edhe për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore.

“Në buxhetin për vitin 2017, Komuna e Prishtinës ka projektuar linja buxhetore për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore. Xhamia e Çarshisë dhe objektet tjera të mbrojtura ligjërisht janë në margjina të këtyre mjeteve”, sqaron komuna.

Gjithashtu Komuna e Prishtinës në përgjigjen e saj për KALLXO.com është shprehur se zvarritjet në realizimin e punimeve zakonisht kërkojnë energji dhe vigjilencë më të madhe në riprojektimin dhe rifillimin e punëve dhe kjo për qëllim të mbrojtjes së interesit publik.

Xhamia e Çarshisë ose Xhamia e Sulltan Muratit është ndërtuar në vitin 1393 nga Sulltan Bajaziti i I-rë për ta përkujtuar fitoren e forcave osmane dhe Sulltan Muratit në betejën e Kosovës të vitit 1393.

Xhamia fillimisht gjendej përballë Çarshisë së Vjetër e cila u demolua në vitet e 60-ta, prandaj edhe sot mban emërtimin Xhamia e Çarshisë.

Kjo është xhamia më e vjetër në qytet dhe mbetet një prej objekteve kryesore të trashegimisë kulturore në Prishtinë.