Ramush Haradinaj - Foto: KALLXO.com

Haradinaj: Vrasja e Ivanoviqit të mos Përdoret për Politikë Ditore

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj tha se vrasja e sotme e politikanit serb, Oliver Ivanoviq në Kosovë nuk duhet të bllokojë proceset e normalizimit të marrëdhënieve mes dy shteteve.

Pas vrasjes së Ivanoviqit në veri, është anuluar një takim që është dashur të mbahet për rinisjen e dialogut Kosovë-Serbi.

Haradinaj tha se Kosova do të përkushtohet në zbardhjen e këtij rasti dhe për këtë arsye ai nuk mund të përdoret për qëllime politike.

“Shfrytëzimi i këtij akti tragjik për qëllime të politikës ditore, madje edhe për të bllokuar proceset që për qëllim kanë normalizimin e marrëdhenieve ndërmjet dy shteteve, është kundër logjikës dhe frymës së bashkëpunimit!”, shkroi Haradinaj në Facebook

Ai shtoi se përkushtimi i Kosovës për siguri është i vazhdueshëm.

“Kosova mbetet e përkushtuar për krijimin e një mjedisi të sigurt për të gjithë qytetarët e saj, si dhe e përcaktuar fuqishëm në rrugën e vet euro-atlantike.Institucionet tona do të bëjnë krejt çka është në dorën e tyre që të zbardhet kjo vrasje, dhe në asnjë situatë nuk do ta pranojnë logjikën e kalkulimit të akteve kriminale për qëllime politike nga kushdoqoftë!”, tha ai.