Teuta Rugova | Foto: Facebook

Haradinaj Vizitë në Familjen e Teuta Rugovës

Kandidati për Kryeministër nga koalicioni PAN, Ramush Haradinaj e ka vizituar familjen e Presidentit Ibrahim Rugova. Takimi është mbajtur në rezidencën e familjes Rugova.

Pas takimit është prononcuar vetëm Haradinaj, ndërsa për media nuk ka foluar asnjë anëtar i familjes Rugova.

“Ishte një takim së pari familjar, me familjen e Presidentit historik, Ibrahim Rugova. Është një takim që na kthen në kujtesë edhe në ndjenjën e mirë që kem pas me këtë shpi, më këtë familje, ndjenja, marrëdhënie që e kemi ruajtur në tërë etapat e që do ta ruajmë gjithmonë”, tha Haradinaj. Por, ai ka refuzuar të tregoj nëse e ka të garantuar votën e Teuta Rugovës për t’u bërë kryeministër. Madje, nuk ka treguar nëse në takimin me familjen Rugova ishte edhe deputetja Teuta Rugova.

Ndërsa, zëdhënësi i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Muharrem Nitaj tha se në lidhje me takimin e sotëm do të njoftohemi më vonë.

“Ju njoftojmë më vonë”, tha Nitaj.

Koalicioni PAN ka dal i para në zgjedhjet e 11 qershorit me 39 deputetë. Këtij koalicioni i duhen votat e dy deputetëve nga koalicioni LAA apo Lëvizja Vetëvendosje për të bërë qeverinë, nën supozimin që i marrin votat e të gjithë deputetëve nga komunitetet.

Koalicioni LDK-AKR-Alternativa disa herë ka thënë se asnjë deputet nuk do ta mbështes një koalicion ku pjesë e saj është edhe PDK-ja.