Ramush Haradinaj, kryeministër i Kosovës.

Haradinaj: Vizita e Zaev, Shenjë e Thellimit të Raporteve

Kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev, nesër do të vizitojë Kosovën,  duke shënuar vizitën e parë të një kryeministri të Maqedonisë në Kosovë.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj paralajmëroi këtë vizitë duke thënë se do të kontribojë në vendosjen e raporteve të qëndrueshme mes dy shteteve.

Nesër e mirëpres Kryeministrin e Republikës së Maqedonisë, Zoran Zaev, në vizitë zyrtare në Republikën e Kosovës, si shenjë e vullnetit të mirë për zhvillimin e mëtutjeshëm të raporteve të vendit tonë dhe Republikës së Maqedonisë.

“Jam i bindur se kjo vizitë do të thellojë marrëdhëniet tona, duke avancuar në të gjitha temat, pavarësisht se sa mund të jenë të ndieshme ato.Si Kryeministër i vendit, do të përfaqësoj denjësisht popullin dhe shtetin e Kosovës në ndërtimin e marrëdhënieve të qëndrueshme, kurse qytetarët e vendit duhet të na japin hapësirën dhe respektin e nevojshëm që ne t’i thellojmë këto raporte dypalëshe”, shkroi Haradinaj në Facebook.

Maqedonia e ka njohur Kosovën në vitin e shpalljes së pavarësisë.