Haradinaj: Vdekja e 14 vjeçarit, akt jo njerëzor

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj reagoi ndaj vdekjes së një 14 vjeçari nga Kamenica që dyshohet se u rrah për vdekje nga babai i tij.

Haradinaj kërkoi të ndërmerren veprime ndaj kryesit të aktit.

“Vdekja tragjike e 14 vjeçarit nga Kamenica është lajm i trisht, veprim jonjerëzor dhe i pafalshëm. Institucionet përkatëse duhet të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme për kryesin e këtij akti dhe për të parandaluar dhunën në familje.Familja është shtylla e një shoqërie dhe vlerat e saj duhet mbrojtur nga çdo cënim!”, shkroi ai në Facebook.

Sipas prokurorisë, babai i të miturit kishte rrahur me shkop druri djalin.

Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Gjilanit, Jetish Maloku tha për KALLXO.com se shkaqet e dhunës së prindit ndaj fëmijës ishin një shumë e parave prej 1 mijë eurosh të cilat dyshoheshin se janë marrë nga fëmija.

“I pandehuri, babai i fëmijës ka qëndruar disa ditë në një banjë shëruese dhe më pas është kthyer në shtëpi. Kur është kthyer e ka vërejtur se i kanë munguar 1 mijë euro nda 3 mijë sa kishte pasur. Babai ka dyshuar se paratë ia ka marrë fëmija i tij i cili ishte 14 vjeç. Ky ishte shkaku që ka shtyrë babain të rrahë me shkop druri për vdekje djalin e tij 14 vjeçar”, tha Maloku për KALLXO.com.

http://kallxo.com/prokurori-jep-detaje-per-vdekjen-e-femijes-ne-kamenice-si-pasoje-e-dhunes-nga-babai/