Haradinaj Uron Kancelaren Merkel për Fitoren

Kryeministri Ramush Haradinaj i ka dërguar një letër urimi kancelares gjermane, Angela Merkel, me rastin e fitores së saj në zgjedhjet e 24 shtatorit.

Sipas një komunikate të Qeverisë, në letër ndër tjera kryeministri Haradinaj i ka shprehur admirimin e tij për rizgjedhjen e saj në mandatin e katërt radhazi për t’u shërbyer interesave më të mira të Republikës Federale të Gjermanisë.

“Kryeministri kosovar e ka lavdëruar Kancelaren për lidership të qëndrueshëm dhe të fuqishëm, si dhe për rolin e rëndësishëm që ka ajo dhe Qeveria gjermane në mbështetjen e perspektivës politike dhe ekonomike të Kosovës”, thuhet në komunikatë.

Në këtë letër, Ramush Haradinaj ka rikonfirmuar përkushtimin e Qeverisë së Kosovës për thellimin e mëtejmë të bashkëpunimit dhe të marrëdhënieve të shkëlqyera ndërmjet dy vendeve.

Ndryshe, aleanca e partive CDU/CSU të cilën e drejton kancelarja Merkel ka dalë e para në zgjedhjet e djeshme parlamentare në Gjermani me 33 për qind të votave.