Foto: Atdhe Mulla

Haradinaj Uron Homologen Gjermane për ‘Mandatin e Katërt’

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, i ka uruar kancelares gjermane Angela Merkel mandatin e katërt në krye të Qeverisë së Gjermanisë.

Përmes një postimi në profilin e tij në “Facebook”, Haradinaj i ka shprehur urimet e tij të sinqerta për mandatin e katërt me radhë kancelares Merkel.

“Gjermania gjithmonë ka qenë përkrahëse e fuqishme e pavarësisë së Kosovës, dhe perspektivës euroatlantike të saj. Qeveria e Kosovës është e përkushtuar që t’a thellojë edhe më shumë marrëdhënien tonë strategjike, sidomos tani me koalicionin e madh gjerman”, ka shkruar Haradinaj.

Urimi i kryeministrit të Kosovës vjen pas publikimit të lajmit se anëtarët e Partisë Social-Demokrate (SPD) të Gjermanisë i kanë thënë po një koalicioni të madh me Unionin Kristian-Demokrat (CDU) të kancelares Merkel.

http://kallxo.com/anetaret-e-spd-se-perkrahin-koalicionin-kancelaren-merkel/

Kjo votë e SPD-së i hap rrugën kancelares Angela Merkel që ta drejtojë Qeverinë e re dhe ky do të ishte mandati i katërt me radhë i saj në krye të Qeverisë së ekonomisë më të fuqishme europiane.