Takimi mes Kryetarit të grupit të miqësisë dhe Kryeministrit Ramush Haradinaj- Foto: Qeveria e Kosovës

Haradinaj: U Jemi Mirënjohës Shtetit dhe Popullit të Francës

Kryesuesi i grupit të miqësisë Francë- Kosovë, Bruno Questel, po qëndron në Kosovë për nder të 10 vjetorit të pavarësisë.

Ai është pritur nga kryeministri Ramush Haradinaj.

Haradinaj ka falënderuar popullin francez për përkrahjen që po i jep Kosovës në proceset eurointegruese.

“Franca është me Kosovën që nga koha e luftës me një përkrahje të vazhdueshme. Është ndër vendet e para që e ka njohur Kosovën dhe ka një pozicion shumë të qëndrueshëm për të drejtën e Kosovës për shpejtimin e Kosovës europiane”, tha kryeministri Haradinaj.

Po ashtu, kryeministri Haradinaj ka njoftuar Questel për proceset aktuale dhe prioritetet e Qeverisë së Kosovës.

Sipas njoftimit të Qeverisë, Haradinaj ka shprehur vullnetin e Qeverisë së Kosovës për thellimin e marrëdhënieve bilaterale Francë-Kosovë në planin politik, të sigurisë dhe atë ekonomik në të mirë të dy vendeve dhe rajonit.

Kryetari i grupit të miqësisë Francë-Kosovë në Asamblenë Parlamentare të Francës, Bruno Questel, ka uruar Haradinajn për dhjetëvjetorin e pavarësisë duke theksuar marrëdhëniet e mira që kanë Kosova dhe Franca.

“Kam kuptuar kërkesën e autoriteteve vendëse në Kosovë që Franca të vazhdojë mbështetjen dhe të shoqërojë Kosovën drejt realizimit të proceseve që ka vendi juaj”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.

Sipas Questel, Franca ka qenë gjithmonë afër Kosovës dhe të gjitha kërkesat e ngritura gjatë takimit me Haradinajn do t’i përcjell te autoritetet franceze.