Ramush Haradinaj | Foto: Atdhe Mulla

Haradinaj: U Dakordova me LDK-në për të Ecur Përpara

Në një konferencë për gazetarë Kryeministri Ramush Haradinaj ka treguar se projektligjit për demarkacionin i është shtuar vetëm pjesa “si orientim”.

Haradinaj deklaroi se shtimi i këtyre dy fjalëve është bërë me kërkesë të LDK-së në nenin 3, pikën 1.2 të Projektligjit për ratifikimin e marrëveshjes së demarkacionit.

Në këtë nen e pikë flitet për dokumentacionin zyrtar të komisionit shtetëror për shënimin e kufirit.

Haradinaj këtë shtesë e cilësoi të panevojshme, por tregoi se është pajtuar me të.

“Mendoj se për bindjen time është e panevojshme kjo shtesë, nëse kjo është kërkesa e tyre për me përkrah ligjin kam ra dakord”, tha Haradinaj në konferencë.

Ai dakordimin e sotëm e cilësoi edhe njëherë “heqje të pengesës së fundit politike që të arrihet një konsensus me LDK-në në parlament”.

Kryeministri megjithatë nuk ishte i sigurt nëse dy të tretat e deputetëve do ta votojnë marrëveshjen e demarkacionit.

“Ta shohim tash vështirë me folë”, tha Haradinaj.

Ai deklaroi se nuk ka konsensus për votim të demarkacionit me Listën Serbe.

“Ende nuk kemi konsensus me Listën Serbe, dakordim nuk e di a do ta kemi apo kur”, tha Haradinaj.

Seanca për ratifikimin e marrëveshjes së demarkacionit është caktuar të mërkurën.