Ramush Haradinaj - Foto: KALLXO.com

Haradinaj: Testi PISA, Sfida Jonë e Parë

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka ripërsëritur kërkesën e tij që të ketë vëmendje në procesin e vlerësimit ndërkombëtar të nxënësve përmes testit PISA.

Nxënësit e Kosovës pritet t’i nënshtrohen këtij testi në fund të muajit prill dhe kjo ka shkaktuar një gjendje alarmi te institucionet, pas rezultateve të dobëta të testit të kaluar.

Kjo ka bërë që Ministri i zgjedhur rishtaz i Arsimit , Shyqiri Bytyqi të kërkojë nga organizatorët ‘shtyrjen për një vit të mbajtjes së testit për Kosovën’.

Meqë testi nuk ka mundur të shtyhet, Kryeministri bëri thirrje për seriozitet në përgatitjet për këtë test nga MAShT dhe Kryetarët e Komunave.

“Kam kërkuar nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, nga kryetarët e komunave dhe të gjithë ata që janë të përfshirë në këtë proces, që t’i kushtohet vëmendje e shtuar testit PISA, që pritet të mbahet në fund të prillit. Kjo do të jetë sfida jonë e parë”, shkroi Haradinaj në Facebook.

Ai po ashtu deklaroi se arsimi do të jetë një ‘top-prioritet’ e Qeverisë së tij për këtë mandat.

KALLXO.com ka raportuar lidhur me risitë e këtij testi që pritet të mbahet në Kosovë.

http://kallxo.com/risite-e-pisa-2018-per-kosoven