Foto: Një nga tryezat politike

Haradinaj: S’po shoh që dikush po dëshiron zgjedhje të parakohshme

Kryeministri Ramush Haradinaj doli më herët nga takimi i liderëve i thirrur nga Partia Demokratike e Kosovës.

Ai tha se AAK-ja mbetet e hapur për një platformë të një dialogu me Serbinë.

I pyetur për mundësinë e zgjedhjeve të reja, ai tha se nuk po e sheh që dikush po dëshiron zgjedhje, shkruan rtv21.tv.

Pas tij, lideri i Nismës Fatmir Limaj, tha se tryeza të tilla janë sinjal i mirë dhe se po bisedohet për tema nacionale që të kenë konsensus të gjerë.

“Vullnet i plotë nga të gjitha grupet politike për të ecur përpara, është i mundur edhe konsensus për dialogun me Serbinë”, tha ai.

I pyetur për atë se a u prek tema e zgjedhjeve, Limaj tha se nuk ka temë që nuk po diskutohet në këto takime.

I pyetur se a do të pranojë ky subjekt që dialogun ta udhëheq presidenti Thaçi, ai tha se Kuvendi duhet të vendosë për këtë çështje.

Ndërsa kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, falënderoi pjesëmarrësit në takim.

“Ishte një debat tejet konstruktiv dhe mjaft përmbajtjesor. Dakordimi i parë është se nga mbledhja e radhës do ta trajtojmë veç e veç secilën temë, në mënyrë që të arrijmë pajtueshmëri për një platformë konsensuale”, tha ai.

Në këtë takim kanë marrë pjesë Kadri Veseli i PDK-së si organizator i tryezës, Ramush Haradinaj i AAK-së, Agim Veliu i LDK-së, Fatmir Limaj i NISMA-s, Dardan Sejdiu nga Grupi i Pavarur i Deputetëve, si dhe përfaqësues të partive të pakicave, por ka marrë pjesë asnjë përfaqësues i Vetëvendosjes.

Në agjendë të takimit ka qenë diskutimi për themelimi i Forcave të Armatosura të Kosovës, agjenda e integrimeve europiane, dialogu me Serbinë, themelimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, si dhe reforma zgjedhore.