Haradinaj Shkarkon Komisionin Shtetëror për Shënjimin e Kufirit

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, i ka propozuar Qeverisë shkarkimin e Komisionit Shtetëror për Demarkacion dhe njëkohësisht e ka caktuar ekspertin e njohur të Kosovës, profesor Shpejtim Bulliqi, që ta krijojë ekipin për të marrë përgjegjësitë për krijimin e Komisionit Shtetëror për Demarkacion.

Haradinaj ka qenë kundërshtuesi më i madh i demarkimit të kufirit me Malin e Zi sipas vijës së përcaktuar nga Komisioni shtetëror i drejtuar nga Murat Meha.

Ai ka premtuar rishikim të procesit të demarkimit me vendin fqinj.

Vijën e demarkimit të caktuar nga Komisioni Qeveritar e kishte kundërshtuar me vendosmëri edhe ish-deputeti i LDK-së, Shpejtim Bulliqi, të cilin sot kryeministri Haradinaj e ka ngarkuar me formimin e Komisionit Shtetëror për Demarkacion.

Ky qëndrim Bulliqit i kishte kushtuar me mosfutjen e tij në listën e kandidatëve për deputetë për zgjedhjet parlamentare të 11 qershorit.

Përballë presionit opozitar e qytetar, Qeveria e drejtuar nga Isa Mustafa ishte detyruar ta tërheqë më 1 shtator 2016 nga rendi i ditës të Kuvendit të Kosovës ratifikimin e Marrëveshjes së Demarkacionit.