Kryeministri Haradinaj bën homazhe te varri i presidentit Ibrahim Rugova - Foto: Facebook

Haradinaj: Rugova, Intelektuali Humanist që i Dha Emër Kosovës në Botë

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka bërë homazhe te varri i presidentit të ndjerë, Ibrahim Rugova dhe ka vizituar familjen e tij.

Në 12 vjetorin e vdekjes së presidentit Rugova, Haradinaj ka thënë se sot e nderojnë veprën dhe punën madhore të mikut të tij dhe presidentit historik të Kosovës.

“Presidenti Rugova, intelektuali humanist që i dha emër Kosovës në botë, përjetësisht do të mbetet në kujtimet tona si njëri ndër personalitet kryesore që tërë jetën e tij ia kushtoi lirisë së vendit dhe i vuri themelet e shtetit tonë të pavarur. Do ta kujtoj gjithmonë me respekt shembullin, figurën dhe vizionin e tij”, ka shkruar kryeministri Haradinaj në profilin e tij në “Facebook”.

Në përvjetorin e 12-të të vdekjes së tij do të bëhen homazhe tek varri i tij në Velani dhe te familja Rugova, ndërkaq në ora 12:00 në hotelin “Emerald” do të mbahet edhe një akademi përkujtimore.

Në përvjetorin e parë të vdekjes së Ibrahim Rugovës, ish-presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, e dekoroi atë me urdhrin “Hero i Kosovës”, titulli më i lartë në vendin tonë që u jepet figurave historike shqiptare dhe të Kosovës.

Dr. Ibrahim Rugova lindi më 2 dhjetor të vitit 1944 në fshatin Cerrcë, komuna e Istogut.

Më 10 janar 1945 komunistët jugosllavë ia pushkatuan të atin, Ukën dhe gjyshin Rrustë Rugovën, që kishte qenë luftëtar i njohur kundër çetave çetnike që po depërtonin në Kosovë gjatë Luftës së Dytë Botërore.