Kryeministri Haradinaj në Junik. Foto: ZKM

Haradinaj: Rezultati i Keq në PISA na Turpëron

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, vizitoi sot Komunën e Junikut, me ç ‘rast përmendi gjendjen në arsim, si prioritet të Qeverisë që drejton.

“Testi PISA është një test ndërkombëtar dhe nëse del i keq na turpëron. Është me interes që drejtorët e shkollave, drejtori i arsimit ta marrë seriozisht këtë” , tha kryeministri Haradinaj.

Në takim, ai tha se është biseduar edhe për sistemin e shëndetësisë, ofrimin e barnave esenciale, furnizimin me energji, por edhe për projekte tjera me rëndësi, siç janë përfundimi i rrugës për Gjeravicë, objekti i ri i shkollës, transformatori 110 kilovatë, ujëmbledhësi për grumbullimin e rezervave të ujit të pijshëm, shtëpinë e kulturës, palestrën e sportit dhe probleme të tjera të kësaj Komune.

Duke u ndalur te çështja e liberalizimit dhe demarkacionit, kryeministri tha se po punohet që shumë shpejt të arrihet liberalizimi i vizave.

Kryetari i Komunës, Agron Kuçi theksoi se ky është “moment historik” për faktin se për herë të parë zyrtarisht në Komunën e Junikut, vjen kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj.

Kryetari Kuçi e njoftoi kryeministrin me zhvillimet në komunë, sfidat, nevojat, por edhe me objektivat e qeverisë komunale.

“Kryeministri e njeh problematikën tonë dhe ai i pranoi me mirëkuptim sfidat dhe objektivat tona. Jam i sigurt se komuna e Junikut, qytetarët tanë do ta ketë një perspektivë dhe një ardhmëri të sigurt” , tha kryetari Kuçi.