Mbledhja e Qeverisë - Foto: Facebook

Haradinaj: Raporti i Bulliqit – Kredibil

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se raporti vlerësues i Komisionit Shtetëror për Shënjimin dhe Mirëmbajtjen e Kufirit është kredibil.

Haradinaj ka theksuar se ky raport është hartuar nga njerëz profesionistë të fushave dhe vërteton pretendimet e deritashme se Kosova me versionin e tashëm është dëmtuar në tërësinë e saj tokësore.

“Bazuar në kriteret e prezantuara për demarkimin e kufirit shtetëror, që kanë aplikuar të gjitha shtetet që kanë dalë nga ish-Jugosllavia, aty ku ka shpërputhje kadastrale duhet të përkufizohet mbi bazën e vijës administrative. Kështu ka vepruar edhe Gjykata e Arbitrazhit në verdiktin për rastin slloveno-kroat”, ka theksuar kryeministri në një postim në profilin e tij në “Facebook”.

“Komisioni Shtetëror e ka argumentuar fuqishëm parimin uti possidetis juris, me çka dëshmohet se deri në Kullë dhe Zhlep, territori është menaxhuar nga Kosova. Vetëm 17% e territorit të Malit të Zi, deri më 2013, është përfshirë në regjistrat kadastralë të kësaj republike”, ka shtuar Haradinaj.

Ky reagim erdhi pasi që në mbledhjen e Qeverisë Komisioni Shtetëror për Shënjimin dhe Mirëmbajtjen e kufirit paraqiti të gjeturat e tij.

Sipas kryetarit të këtij Komisioni, Shpejtim Bulliqit, vija kufitare Kosovë- Mali i Zi ka pësuar ndryshime në krahasim me hartat e fundit.

http://kallxo.com/bulliqi-kufiri-kosove-mali-zi-nuk-eshte-njejte/

Ndërsa, anëtari tjetër i këtij Komisioni, Zejnullah Gruda, tha se demarkacioni sipas Marrëveshjes së vitit 2015 e cenon integritetin territorial të Kosovës.

http://kallxo.com/gruda-demarkacioni-malin-e-zi-cenon-integritetin-territorial-te-kosoves/

Pas prezantimit të të gjeturave nga Komisioni, Qeveria mori vendim që Marrëveshjen për Demarkacionin me Malin e Zi dhe raportin e Komisionit Shtetëror ta përcjellë për në Kuvend.

http://kallxo.com/haradinaj-e-dergon-marreveshjen-e-mehes-dhe-raportin-e-bulliqit-ne-kuvend/

E këtë vendim të Qeverisë e përshëndetën presidenti Hashim Thaçi dhe kryeparlamentari Kadri Veseli.